
Kryeministri Edi Rama për herë të parë pas rreth dy muajsh foli për gjendjen e koronavirusit në vend, gjatë një vizite me ekipin e mjekëve të spitalin Infektiv, të martën.
Ai mbështeti mjekët dhe dënoi ashpër të gjithë ata që sulmojnë mjekët:
“Jeni treguar për shumë nga ata që flasin dhe nuk dinë c’bëhet, por kanë fjalën e keqe në majë të gjuhës, në tërësinë e vet mjekët tanë meritojnë vetëm respekt dhe jo shtrëmbërime buzësh, baltë e akuza e sharjesh pafund që keni dëgjuar gjtihë këto vite”.
Kryeministri premtoi se do të rrisë rrogat e mjekëve në janar të 2021:
“Po përgatitemi për një rritje masive të pagave. Duam të rrisim pagat në mënyrë të konsiderueshme. Ende nuk ka një shumë të caktuar. Përtej bonusit që ju si vijë e parë që do t’i merrni deri në fund. Duhet të jemi në mesataren e lartë të rajonit. Rritja ta fusim në buxhetin e ri dhe ta bëjmë fakt që në fillim të janarit”.
Rama përjashtoi mbylljen e ekonomisë duke theksuar se “mbyllja dhe izolimi opsion i vazhdueshëm, sjell dëme dhe ka kosto të madhe ekonomike dhe psikologjike”.
Kryeministri ju rikthye deklaratave të mëparshme duke i kujtuar qytetarëve se virusi nuk erdhi për faji të qeverisë, por ai është “një monstër”, që duhet ta “luftojmë çdo ditë”.