Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje naftëtarëve që prej 22 ditësh janë në grevë urie, të ndërpresin grevën dhe të ulen në bisedime me të.
Përmes një postimi në Twitter, Rama shkruan se është i gatshëm të bisedojë me ta pa presione e ultimatume:
“I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu!Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm!
U përsëris naftëtarëve të Ballshit që greva e tyre është e panevojshme, sepse unë jam me ta dhe qeveria është e tyrja! Ne jemi plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit të tyre që është edhe halli ynë dhe është absurde që hallin t’ua qajnë ata që ua shkaktuan!”
Ftesa e Ramës vjen pasi ka deklaruar disa herë se qeveria nuk mund të ndërhyjë mes konfliktit që kanë punëtorët me kompaninë menaxhuese të rafinerisë.
Rama po ashtu ka hequr çdo përgjegjësi nga qeveria për mosmarrjen e pagave të naftëtarëve.
Siç kemi shpjeguar më parë, historia e ARMO-s dhe e rafinerieve të saj, është një histori ku mund të jenë humbur mbi gjysëm miliardë euro pasuritë publike, me ‘lejen’ dhe nën kujdesin e qeverisë, teksa qindra punonjës janë shfrytëzuar dhe lënë pa rroga për vite me radhë.
Për të lexuar më shumë për këtë, klikoni këtu.