“Në Gjermani nuk shikon asnjë gjerman që ecën pa rrip sigurimi, ndërsa në Shqipëri shikon gjermanë që ecin pa rrip sigurimi”. Kjo fjali e kryeministrit Rama e ka shtangur ambasadorin gjerman Helmut Hoffman, i pranishëm bashkë me kryeministrin në një aktivitet për arsimin profesional në Shqipëri. Por Rama ka nxituar ta korigjojë kritikën e tij duke sqaruar se e kishte fjalën për gjermanët e ambasadës së shkuar dhe jo të kësaj që drejtohet nga Hoffman.
Me këtë kritikë ndaj stafit gjerman në ambasadën e tyre në Shqipëri, Rama ka dashur të përsërisë atë që thotë shpesh, është sistemi që i korrupton njerëzit dhe jo e kundërta. Ndërkohë që Rama ka përdorur mënyrën e vet tallëse për të dhënë mesazhin thumbues ndaj gjermanëve, ambasadori Hoffman ishte i drejtëpërdrejtë në mesazhin e tij. “Keni nevojë për një plan dhe strategji të qartë. Nuk duhet të rishpiket modeli që ka vite të tëra që ekziston. Janë shumë çështje që duhet të qartësohen”, tha ambasadori gjerman duke four për arsimin profesional në Shqipëri dhe ndikimin në thithjen e investimeve të huaja.
Nuk është hera e parë që kryeministri Rama përçmon në fjalimet e tij, jo vetëm politikanët shqiptarë e qytetarët e thjeshtë, por edhe zyrtarë të huaj nga ambasadorë e deri tek liderët e rëndësishëm evropian.
Në diskurset publike të Ramës gjen shpesh kritika të guximshme dhe këshilla drejtuar liderëvë botërore se si të zgjidhin problemet me të cilat përballen. Pak ditë më parë, kryeministri Rama dha këshilla liderëve botërorë se si të zgjidhin krizën me emigrantët dhe nuk tha asnjë fjalë se çfarë po ndodh me 100 mijë shqiptarët që po kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian.
Sa herë që diskutohet për integrimin e Shqipërisë në BE, kryeministri nuk harron të thotë se “Shqipëria ka nevojë për Evropën aq sa Evropa ka nevojë për Shqipërinë”. Ndërkohë që qeveria që ai drejton nuk ka plotësuar asnjë prej kushteve që pengojnë Shqipërinë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.