Kryeministri Edi Rama deklaroi të shtunën se Shqipëria nuk rrit numrin e testimeve, jo sepse nuk ka para, por sepse Komiteti i Ekspertëve nuk e ka kërkuar këtë.
Gjatë një takimi elektoral në Vlorë, Rama tha se qeveria ka para dhe po paguan për naftëtarët, si dhe do të dyfishojë ndihmën ekonomike për familjet në nevojë, ndaj ta akuzosh qeverinë se nuk ka para për testime, nuk është e drejtë.
Rama u shpreh:
“Kur kemi mundësinë që të paguajmë në mënyrë dinjitoze që as nuk e prisnin fare ata naftëtarët dje, kur kemi mundësi sot do ua dyfishojmë ndihmën ekonomike të gjitha familjeve me ndihmë ekonomike deri në fund të pandemisë, nuk paskemi mundësi të blejmë më shumë tamponë?
Por as komiteti teknik nuk e ka kërkuar por as numri i tamponëve të bërë nuk ka rezultuar problem në raport me epideminë.”
Kohët e fundit, opozita ka sulmuar vazhdimisht qeverinë se duhet të shtojë numrin e testimeve për të zbuluar më shpejt të infektuarit me Covid-19.