Rama ka të drejtë, problemi nuk janë palmat

Nga Alba Mborja
Rama ka të drejtë, problemi nuk janë palmat

Në Shqipëri, ndoshta si kudo, pas çdo tragjedie apo katastrofe, nisin menjëherë polemikat.

Edhe këtë herë, kur pas dy ditë shirash të dendur vendi u zhyt në një rrjedhë balte dhe përmbytjesh, nuk munguan sulmet politike që, natyrisht, kishin si objekt një prej simboleve të kësaj qeverie, palmat e mbjella në të dyja anët e autostradës nga Lapraka tek kthesa e Rinasit për të zbukururar hyrjen e Tiranës, në mënyrë të veçantë për ata që vinë nga aeroporti.

Palmat ishin sugjerim i njërit prej prej shumë arkitektëve të thirrur nga Rama në Tiranë menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2013, para se të bëhej zyrtarisht kryeministër. Një autobus i ngarkuar plot me “gjenij” të arkitekturës dhe zhvillimit të territorit të cilët nën shoqërinë e kryeministrit të ardhshëm brodhën dhe eksploruan në pak orë vendin, duke i dhënë atij këshilla dhe sugjerime. Në këto situata ndodh ajo që ndodh edhe nëpër seminare dhe konferenca, duhet të ndërhyhet, duhet tërhequr vëmendja, qoftë edhe me ndonjë gjë të ekzagjeruar, për t’u bërë këshilluesi i preferuar e ndoshta për të ndërmarrë ndonjë detyrë.

Dhe, kështu, pyetjes se si t’ia bëjmë për ta bërë më të këndshme hyrjen e Tiranës, ndonjë gjeni i botanikës i ardhur nga Europa veriore, ndoshta i bindur se Shqipëria ishte Afrikë, iu përgjigj duke lëshuar idenë e palmave, kuptohet pa pyetur më parë nëse ishte bima e duhur nga pikëpamja klimaterike. Por idea ishte e zhurmëshme, e rrumbullakosur, e madhe, tërhiqte vëmendjen, dhe kaq mjaftoi për ta bërë atë një prioritet të qeverisë, pavarësisht nga projekti për ta bërë autostradën me tre korsi, pavarësisht nga mungesa e një projekti të mirë menduar, pavarësisht nga përgjegjësitë e vërteta administrative.

Duhen dhënë shenja të ndryshimit, të menjëhershëm, sikurse bëra sapo u bëra kryebashkiak me lyerjen e fasadave të pallateve, kjo garanton sukses politik dhe mbështetje — duhet të ketë menduar kryeministri i sapozgjedhur.

Kështu palmat u kthyen në një projekt pilot, një ikonë të “Rilindjes”. Dhe një vend i tërë i mbushur me idiotë filloi të mbillte palma deri edhe nëpër garazhde. Dhe me të vendosur këtë telajo të re, piktori nuk mund të ndalonte më, dhe kështu morën jetë ato gjysëm sferat e ngjyrosura të betonit, të vendosura për të ndaluar shkatërrimin nga makinat të barit nën palma, por që në fakt u bënë shkak për shumë aksidente.

Natyrisht opozita i sulmon palmat, sepse ato janë një ikonë. I sulmon kur ato thahen nga ngrica (e jashtëzakonshme, thotë qeveria), sikurse i sulmon kur autostrada përmbytet nga një shi dy ditor (i jashëtzakonshëm, thotë qeveria), dhe i sulmon edhe kur planifikohet që ato të zëvendësohen me pisha, kësaj herë të shoqëruar me investimin e rëndësishëm për një impjant modern ujitës që kushton sa për të ndërtuar një shkollë fillore moderne.

Sot polemika është ndezur mbi faktin se, me mbjelljen e palmave dhe vendosjen e sistemit të sferave prej betoni anash autostradës, dikush ka harruar kanalin e kullimit, dhe ky është shkaku që solli përmbytjet dhe e bëri të pamundur kalimin në këtë arterie të rëndësishme të vendit.

Qeveria e mohon, duke konfirmuar që faji është i ndërtimeve abuzive që devijojnë rrugët e kalimit të ujit në të gjithë zonën e prekur në pikën ku ndodhi përmbytja, e cila për herë të dytë u përmbyt.

Nuk dimë nëse ndërtimet abuzive për të cilat flet qeveria janë ndërtuar tani, apo janë ndërtuar në kohën e qeverisjes demokrate, por ama dimë se ndërkohë shumë ndërtime (edhe ato jo abuzive) u prishën nga qeveria Rama, për arsye estetike, si në rastin e ndërtimit të lungomares në Vlorë, në Himarë dhe në vende të tjera.

Ndoshta një qeveri më e kujdesshme ndaj thelbit të gjërave, në vend të përdorimit propagandistik, duhet t’i drejtonte burimet publike në shembjen e këtyre “ndërtimeve abuzive” që kërcënojnë rrjedhjen e duhur të ujit, në vend që të investonte në eksperimente botanike dhe dekorative për qëllime propagandistike.

Kësaj here Rama ka me të vërtet të drejtë: kësaj here nuk është faji i palmave, faji është i atij që nuk diti t’i drejtonte energjitë dhe fondet publike atje ku duhej, palmat janë vetëm prova e dukshme e këtij dështimi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>