Kryeministri Rama deklaroi të enjten se si kryetar i PS-së nuk i druhet listave të hapura të kandidatëve për deputetë, por tha se ato nuk janë ‘çudibërëse për demokracinë shqiptare’ siç po mundohet ta shesë opozita parlamentare.
Duke folur në kuvend, Rama i ktheu përgjigje deputetes Hajdari duke thënë se ‘listat e hapura’ e ndërlikojnë procesin e numërimit të votave:
‘Nuk besoj në efektin e tyre çudibërës [të listave të hapura].
Listat e hapura e ndërlikojnë procesin e administrimit të votës sepse jeni të gjithë dëshmitarë, sidomos të procesit të numërimit më gjithë ato trena me vagona me vota të koalicioneve, më e pakta që mund të thuhet është që nuk është e lehtë.
Po të llogarisimin dhe listat e hapura dhe po të shohim sa zgjat numërimi sot me lista të mbyllura, nuk e di se kur dhe si ne mund të mbarojmë numërimin pa kontestime [po të kemi lista të hapura].
Opinion publik mendon sot se listat hapura janë shpëtimi i demokracisë.
Listat e mbyllura shihen si kasaforta të mistereve, sekreteve dhe të gjitha të këqijave, ashtu sikur besohet gabimisht se po u hapën listat, kryetarët do të jenë noterë, por nuk është kështu. Nuk i druhem listave të hapura.
Besohet gabimisht se po u hapën listat, partitë s’do të kenë kryetarë dhe kryetari do të jetë vetëm noter.’