
Kryeministri Edi Rama lajmëroi të hënën se po niset drejt Libanit për të ‘finalizuar fazën e parë të një operacioni kompleks për nxjerrjen e fëmijëve shqiptarë nga kampet e Sirisë.’
Në një postim në shkurtër në rrjetet sociale, Rama deklaroi se shpreson që nesër të mund të kthejë katër fëmijë shqiptarë të mbetur në kampet e Sirisë:
“Nëse me ndihmën e Zotit gjithçka do të shkojë sipas planit, nesër do të kthejmë në atdhe katër fëmijë dhe do të hapim rrugën për finalizimin e fazës së dytë, ku do të kthejmë edhe pjesën tjetër.”
Rama nuk pranoi të flaës më gjatë në lidhje me këtë operacion dhe institucionet ose aktorët që bashkëpunuan.
Rama do të shoqërohet në Liban nga kamerat e televizionit Top Channel.
Deklarata dhe nisja e Ramës në Liban është e papritur dhe jo në të njëjtën linjë me deklaratën e ministrin Lleshaj në shtator 2020, ku pretendoi se riatdhesimi i fëmijëve nga kampet në Siri është shumë i ndërlikuar.
Në shtator 2020, Lleshaj tha se nuk mund të ndodhë njësoj si me Kosovën, ku fëmijët e mbetur në kampe riatdhesohen, sepse forcat ushtarake amerikane janë tërhequr nga Siria:
“Rasti i Kosovës është rast i veçantë që ndodhi në një kontekst që tashmë nuk është më. Kosovës ja sollën. Trupat amerikane atje janë tërhequr dhe nuk mund të ndiqet modeli kosovar dhe na duhet të gjejmë rrugë të tjera”.