Rama pranon se hidrocentralet e vogla janë të padobishme dhe të dëmshme

Nga Erblin Vukaj
Rama pranon se hidrocentralet e vogla janë të padobishme dhe të dëmshme

Pasi dha rreth 100 leje për ndërtime hidrocentralesh, Kryeministri Edi Rama pranoi sot në një konferencë për shtyp se HEC-et me kapacitete të vogla prodhimi janë të padobishme dhe të dëmshme.

Në konferencën për shtyp, sot, Kryeministri i cilësoi “vendimmarrje për t’u harruar” lejet për hidrocentrale ndërsa u zotua se “nuk do të ketë më HEC-e nën 2MW”:

Përfundimisht të gjitha HEC-et nën 2MW janë konstatuar si të dëmshme, jo vetëm jo-të-dobishme, por edhe të dëmshme… ka përfunduar procesi i premtuar i skanimit të kontratave dhe ka nisur procesi i ndërprerjes së 27 kontratave. Njëzetë e shtatë pika ku me të drejtë ka 27 komunitete të acaruara me vendimmarrje që janë thjesht vendimmarrje për t’u harruar dhe për t’u fshirë nga lista. Nuk do të ketë më në Shqipëri leje për asnjë HEC nën 2MW dhe nuk do të lejohet më kurrë që në emër të prodhimit të energjisë të preken zona me rëndësi nga pikëpamja natyrore dhe turistike apo dhe komunitetet duke arritur deri në pikën kur tubat e HEC-it të futen në burimin e ujit.

Deri më sot, zyrtarisht, qeveria nuk është shprehur për padobishmërisë energjitike dhe sidomos rrezikshmërinë që hidrocentralet e vogla paraqesin për mjedisin, turizmin dhe banorët. Përkundrazi, në 6 vitet e qeverisjes, Kryeministri Rama ka dhënë rreth 100 leje për projekte të tilla.

Pas shqyrtimit të kontratave koncesionare, qeveria pati thënë në qershor se “27 kontrata me 80 hidrocentrale” duhej të prisheshin me argumentin se “nuk kanë filluar punimet, ose kanë filluar pa leje, ose janë braktisur për një kohë të gjatë”.

Pra, jo për arsye se janë “të padobishme dhe të dëmshme”.

Në dhjetëvjeçarin e fundit, Shqipëria ka miratuar 182 kontrata koncesionare për ndërtimin e 440 hidrocentraleve.

Sipas qeverisë vetëm 73 kontrata me 96 hidrocentrale janë zbatuar, ndërkohë që 99 projekte kanë marrë lejen e ndërtimit në periudhën 2014-2019.

Pa marrë aspak përgjegjësi, sidomos për vendimet e marra prej tij, Rama thotë se këto vendimmarrje “duhen harruar”.

Prej më shumë se pesë vitesh shoqata mjedisore, dashamirës të natyrës, por sidomos banorë të zonave të prekura kanë protestuar vazhdimisht kundër ndërtimit të qindra hidrocentraleve në lumenj si Valbona, Vjosa, Osumi, Seta, Fani, Luma, etj.

Por zëri i tyre nuk është dëgjuar qoftë dhe për të ndërmarrë një pezullim disa-vjeçar dhe fushatë studimi të për thelluar të gjitha projekteve.

Vitet e fundit edhe Bashkimi Evropian ka shfaqur shqetësime rreth projekteve, të cilat shpesh bazohen në studime jo-bindëse mjedisore.

Nga BE-ja shqetësime ka pasur edhe për ndikimet në mjedis dhe në cilësinë e jetës së banorëve të zonave përreth.

Tre muaj më parë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ndryshoi politikat e saj dhe nga viti 2020 nuk do të mbështesë më financiarisht projekte hidrocentralesh që kanë ndikim negativ në mjedis. Ndërkohë qeveria Rama nuk ka ndryshuar asgjë për sa i përket kësaj çështjeje.

Protestat kundër ndërtimit të hidrocentraleve kanë vazhduar, ndërsa zyrtarisht politikat e zhvillimit të sektorit të energjitikës nuk kanë ndryshuar, fokusi vazhdon të mbetet ndërtimi i hidrocentraleve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>