Rama propagandë me Lezhën: Kur ishte PD, përmbytej më keq

Nga Exit News
Rama propagandë me Lezhën: Kur ishte PD, përmbytej më keq

Kryeministri Rama deklaroi, të martën, se përmbytjet në Lezhë këtë vit nuk kanë qenë katastrofike si në vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike.

Përmes një postimi në Facebook, Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës për përmbytjet në Lezhë dhe braktisjen e banorëve, duke thënë se ‘duhej dalë larg Lezhës, për të gjetur ujë ende të pambledhur nga kanalet dhe fare pak, disa dhjetra banesa të prekura.’

Sipas Ramës, ‘jo shumë vite më parë, shira edhe me të pakët se këta të fundit, e mbanin Lezhën deri në zemër të qytetit me këmbët në ujë për disa ditë me radhë’.

Lezha është qarku më i prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Opozita ka denoncuar se mbi 3500 hektarë në Lezhë janë përmbytur dhe dhjetra familje po jetojnë në kushte të vështira.

Ndërkohë vetë Bashkia Lezhe ka njoftuar se janë evakuuar 37 familje, banesat e të cilave janë dëmtuar.

Siç Exit News ka shkruar më parë, 50 familje në Torovicë të Lezhës janë bllokuar prej 5 ditësh, pasi uji ka rrethuar fshatin e tyre.

Torovica njihet si një prej zonave më problematike sa i takon përmbytjeve, pasi ajo ndodhet pranë hidrovorit të Balldrenit, i cili kur ka reshje intensive shiu tejkalon nivelet e ujit që mund të përpunojë dhe hap digat.

Që prej vitit 2014, bashkia Lezhë ka hartuar plane për të ndërhyrë në bordin e kullimit të zonës, por duket se deri më tani ndërhyrjet nuk janë bërë pasi çdo vit Torovica përmbytet.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>