Kryeministri Rama tha sot se qeveria nuk do të tërhiqet nga aksioni kundër informalitetit. Në takimin e organizuar nga kryeministria me temë “Beteja me informalitetin”, Rama i është përgjigjur kritikave të ekspertëve apo grupeve të biznesit, të cilët kanë kërkuar zbutje të masave kundër informalitetit me arsyetimin se ky aksion prek të varfërit.
Kryeministri tha se nuk do të këtë hapa mbrapa në këtë aksion, duke argumentuar se ekonomia informale është arsye kryesore e polarizimit të shoqërisë. “Nuk ka asnjë teori që justifikon informalitetin apo pretendon se në një ekonomi informale ka një ekuilibër më të arsyeshëm në funksion të atyre që janë më të varfër, kjo nuk ekziston. E kundërta ndodh, ekonomia informale godet të dobëtit, stimulon pasurimin marramendës të një grushti njerëzish ”, tha Rama.