Rama urdhëron regjistrimin e antarësisë, shkak largimet drejt LSI-së

Kryetari i PS-së Edi Rama ka ngritur një grup pune për regjistrimin e plotë të antarësisë së PS-së.

Shkaku për këtë vendim duket se ka të bëjë me largimet nga PS drejt LSI-së, gjatë këtyre dy viteve qeverisje PS-LSI. Burime nga PS u shprehën se ky hap po ndërmerret pasi është konstatuar në shumë raste, se drejtues të struktuave të PS-së janë punësuar në administratë nga LSI. Kjo dukuri është vënë re veçanërisht jashtë Tiranës.

Grupi i punës kryesohet nga vetë kryeministri Rama dhe ka në përbërje Kryetarin e Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi, Zëvëndëskryeministrin Peleshi, Ministri i Brendshëm Tahiri dhe kryebashkiakun e Vlorës Dritan Leli. Grupi i punës do të monitorojë proçesin e regjistrimit të anëtarëve ekzistues në PS, bashkë me rekrutimet e reja që synohen të nxiten.

Rrjedhja e antarësisë drejt LSI-së, duket se e ka detyruar Zoti Rama të fillojë, gjithashtu, edhe një tur takimesh në bazën e partisë, duke i justifikuar ato si ballafaqim me popullin për qeverisjen e deritanishme. Takimin e parë të këtij turi, Kryeministri e zhvilloi në Korçë, fundjavën e shkuar.

Kryeministri Rama ka urdhëruar edhe ministrat e tij të fillojnë takime me elektoratin, të ndarë sipas qarqeve.

Largimet nga PS-ja drejt LSI-së dhe anasjelltas kanë ndodhur edhe më herët, kur dy partitë ishin në opozitë me njëra-tjetrën. Kjo dukuri qe më e dukshme pas vitit 2007, kur Rama e Meta kishin nënshkruar koalicionin e përbashkët opozitar.

Pasi u rizgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës, në shkurt të vitit 2007, Zoti Rama nisi të shpërfillë aleatin e tij Ilir Meta. Kjo shpërfillje arriti kulmin kur ai nënshkroi marrëveshjen me PD-në, për ndryshimet e sistemit zgjedhor nga maxhoritar në proporcional.

Si kundërpërgjigje, Zoti Meta nisi një sulm rekrutimesh të anëtarëve të PS-së në LSI. Për disa muaj me radhë, në media shfaqeshin herë Rama e herë Meta para militantëve që i kishin marrë njëri-tjetrit. Largimet më të shumta ishin ato të PS-së drejt LSI-së.

Kjo dukuri u masivizua gjatë viteve 2009-2013, kur LSI ishte në pushtet në koalicion me PD-në. Në atë kohë iu bashkuan LSI-së edhe drejtues të niveleve të larta në PS, si deputeti Vangjel Tavo, kryetari socialist i bashkisë së Lushnjes, Albert Sanxhaku, ish-kreu i PS Shkodër, Edip Shiroka, apo  sekretari për çështjet ligjore në PS,  Ylli Manjani.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>