Kthimi i Shqipërisë në vendin kryesor të prodhimit dhe trafikimit të kanabisit, prania e grupeve kriminale të strukturuara dhe lidhjet e forta me mafian italiane e ka kthyer vendin në një pikë të favorshëm për trafikimin e kokainës nga vendet e Amerikës së Jugut drejt tregut perëndimor.
Kapja e drogës në portin e Durrësit dhe zbulimi i magazinës së përpunimit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit janë dy shembuj të prekshëm, që tregojnë se si bandat shqiptare po përqendrohen gjithmonë e më shumë drejt trafikimit të kokainës.
Këto dyshime përforcohen më tej nga deklaratat dhe raportet e vendeve partnere. Para një jave, prokurori i antimafias De Raho, në një vizitë në Tiranë u shpreh se mafia shqiptare, përveç ndikimit në prodhimin dhe trafikimin e marijuanës është përhapur së fundmi edhe në tregun e kokainës falë lidhjeve të forta me mafian italiane.
Agjencia e Inteligjencës së SHBA-ve (CIA) në raportin për Shqipëria të publikuar në faqen zyrtare të saj shkruan se: Shqipëria është një pikë kalimi për dërgesat ndër-atlantike për trafikimin e opiateve nga Azia Jugperëndimore dhe kanabisin përmes rrugës së Ballkanit — me një shtrirje të vogël — për kokainën e ardhur nga Amerika e Jugut për tregun e Evropës Perëndimore.
Në vitin 2017, Agjencia britanike Kombëtare e Krimit në raportin për “Vlerësimin Strategjik Kombëtar për Krimet e Rënda dhe Krimin e Organizuar, 2017” shkruan se “kriminelët e Ballkanit dhe në veçanti shqiptarët po e përhapin rrjetin e tyre të ndikimit, duke krijuar lidhje direkte me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine”.
Sërish në vitin 2017, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Drogën në raportin e saj për krimin dhe drogën shkruan se “trafikimi i kokainës përmes Shqipërisë drejt tregjeve të Evropës perëndimore dhe qendrore po rritet dukshëm në krahasim me kokainën e trafikuar direkt në portet e evropës qendrore dhe perëndimore”.
Në tetor të 2017, Kreu i Departamentit të Prokurorisë së Policisë së Greqisë Kostas Panagiotopoulos, duke folur për median greke mbi gjetjet e raportit për trafikimin e drogës në Greqi, shprehet se:
Grekët kanë një rol të kufizuar në tregtimin e kokainës drejt Evropës, pavarësisht se përfshirja e shqiptarëve po rritet gjithmonë e më shumë në këtë fushë. Shqipëria është bërë vend kyç në shpërndarjen e kokainës drejt tregjeve evropiane. Gjithashtu, Shqipëria përdoret si vend për magazinimin e drogës, si dhe ka rol edhe në trafikimin e heroinës, ndërsa grekët ende dominojnë shpërndarjen e kokainës në tregun grek.
Gazetarja amerikane e specializuar për çështjet e sigurisë në Amerikën Latine Angelika Albaladejo, në një analizë të saj për kapjen e 613 kilogramë kokainë në Shqipëri, të botuar pak ditë më parë në median Insight Crime shkruan se “klanet kriminale kolumbiane në vend që të vazhdojnë me rrugën tradicionale, kanë filluar të preferojnë trafikimin e kokainës në rrugën e trafikimit të kanabisit përmes Shqipërisë”.
Gazetarja shpjegon se:
Shqipëria ka një histori të gjatë të trafikimit dhe prodhimit të marijuanës dhe tani statusi i saj i ri si vend tranzit për trafikimin e kokainës kolumbiane në tregun evropian ka shumë gjasa të forcohet. Pozicioni strategjik ndërmjet dy tregjeve joshëse si Evropa e Lindjes dhe Perëndimore, si dhe lidhjet ekzistuese me klanin mafioz italian N’Dragheta e bëjnë Shqipërinë një vend joshës për klanet e trafikimit të kokainës nga Amerika Latine.
Në 2016, policia shqiptare zbuloi rrjetin e përpunimit dhe trafikimit të kokainës. Në këtë rrjet bënin pjesë edhe dy kimista kolumbianë, anëtarë të klanit të N’Draghetës dhe me kontakte në Hollandë, Greqi dhe Belgjikë. Ato e trafikonin kokainën të fshehur në çimento dhe më pas e përpunonin në fabrikën e Xibrakës për ta trafikuar më pas në tregun evropian.
Grupet kriminale kolumbiane trafikojnë direkt në Shqipëri, në këtë mënyrë shmangin rrugën e zakonshme evropiane përmes vendeve si Spanja, ku autoritetet i luftojnë rrjetet kriminale.