Raporti i DASH: Pandemia i bën trafikantët më të vështirë për tu kapur dhe viktimat më të prekshme

Nga Exit News
Raporti i DASH: Pandemia i bën trafikantët më të vështirë për tu kapur dhe viktimat më të prekshme

Pandemia COVID-19 që përfshiu botën, i ka bërë njerëzit më të varfër dhe më të prekshëm ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, sipas Raportit vjetor të Departamentit të Shtetit të SHBA për Trafikimin e Personave.

Raporti, i publikuar të enjten, thotë se trafikantët po shfrytëzojnë numrin në rritje të njerëzve të varfëruar nga sëmundja. Në disa raste, pronarët e bizneseve u bëjnë presion punonjësve ose qiramarrësve për të marrin borxhe në këmbim të punës së lirë ose shfrytëzimit seksual; Në raste të tjera, familjet shfrytëzojnë fëmijët e tyre ose i shesin ata tek trafikantët për të mbajtur veten e tyre financiarisht.

Pavarësisht nga të gjitha lajmet e zymta, Sekretari i Shtetit i SHBA Anthony Blinken sheh arsye për optimizëm.

“Nëse jemi serioz në lidhje me luftën ndaj trafikimit të personave, duhet të punojmë gjithashtu për të çrrënjosur racizmin sistematik, seksizmin dhe format e tjera të diskriminimit dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë në çdo dimension,” tha Blinken në një konferencë për shtyp të enjten.

Raporti vë në dukje se trafikantët shfrytëzuan situatat kur shqyrtimi dhe identifikimi i viktimave u bë më i vështirë. Gjatë pandemisë, ndërsa trafikantët e qenieve njerëzore zhvendoseshin në internet, fëmijët që kalonin më shumë kohë ‘online’ mund të rekrutoheshin më lehtë. Trafikantët gjithashtu shfrytëzuan zyrtarët e shpërqendruar të qeverisë dhe policisë, si dhe kapacitetin e zvogëluar të sistemeve gjyqësore.

Për herë të parë, raporti i këtij viti përfshin një seksion të veçantë mbi pasojat e racizmit sistemik në trafikimin e qenieve njerëzore, duke theksuar se SHBA ende lufton për të “adresuar efektet e ndryshme të trafikimit njerëzor në komunitetet e pakicave”.

Paragjykimet racore mund të ndikojnë jo vetëm në rezultatet e drejtësisë penale, por edhe në mënyrën se si viktimat përjetojnë përvojat e tyre dhe se cilat komunitete zbatojnë ligjin për operacionet antitrafik.

Raporti gjithashtu zbaton një sistem të niveleve për të vlerësuar sesi qeveritë përputhen plotësisht me standardet minimale për të eleminuar trafikimin, sipas Aktit për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit (TVPA) i miratuar nga Kongresi në vitin 2000. Niveli 1, është vlerësimi më i lartë, dhënë vendeve që përmbushin standardet minimale të ligjit, ndërsa niveli 3 është më i ulti, për qeveritë që nuk arrijnë t’i përmbushin ato standarde.

Shtatëmbëdhjetë vende janë renditur në nivelin 3 këtë vit. Ato përfshijnë Afganistanin, Algjerinë, Birmaninë, Kinën, Komoret, Kubën, Eritrenë, Guinea-Bissau, Iranin, Korenë e Veriut, Malajzinë, Nikaragunë, Rusinë, Sudanin e Jugut, Sirinë, Turkmenistanin dhe Venezuelën.

Renditja në nivelin 3 vjen me një sërë pasojash të mundshme politike. SHBA mund të vendosë sanksione mbi ndihmën ushtarake ose tregëtinë ndaj këtyre vendeve, në përputhje me dispozitat e TVPA.

Raporti gjithashtu identifikoi 11 qeveri me një politikë ose model të dokumentuar të trafikimit, të tilla si në programet e financuara nga qeveria, skllavërinë seksuale në kampe qeveritare, ose
përdorimin e fëmijëve si ushtarë. Këtë vit, ato përfshinin Afganistanin, Birmaninë, Kinën, Kubën, Eritrenë, Korenë e Veriut, Iranin, Sirinë, Rusinë, Turkmenistanin dhe Sudanin e Jugut.

Ndër profilet individuale të vendeve, raporti vë në dukje rastin e Kubës për shfrytëzimin e mjekëve dhe personelit mjekësor, të cilët dërgohen jashtë vendit pa njoftim të kushteve të tyre të kontratës dhe më pas kërcënohen kur përpiqen të arratisen. Ai përshkruan gjithashtu ndalimin e Kinës për më shumë se 1 milion njerëz në kampe internimi në të gjithë provincën Xinjiang, shumë prej të cilëve i nënshtrohen punës së detyruar, abuzimit fizik dhe seksual dhe torturave.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>