Ministri i Brendshëm Xhafaj dhe përfaqësues të Guardia di Finanzës italiane prezantuan sot rezultatet e monitorimit ajror për identifikimin e sipërfaqeve me kanabis në Shqipëri.
Monitorimi është bërë në periudhën 15 maj-15 shtator 2017 dhe është financuar në pjesën më të madhe nga shteti Italian dhe më pak nga Bashkimi Evropian. Gjatë këtyre fluturimeve, është monitoruar rreth 23 për qind e territorit shqiptar, duke përjashtuar këtu zonat e banuara.
Shefi i repartit të tretë të Guardia di Finanzas, Stefano Skrepanti tha se që prej vitit 2013 është rritur numri i misioneve të fluturimit, nga 25 në vitin 2013, në 53 sot në vitin 2017.
Krahasuar më vitet e mëparshme, e veçanërisht vitet 2015-2016 kur ka një rritje të madhe të numrit të plantacioneve të mbjella, në vitin 2017, ku numër është ulur ndjeshëm.
Kështu:
– Në vitin 2013, gjatë 25 misioneve ajrore u identifikuan 304 plantacione të kanabisit dhe një total prej 14 772 rrënjësh të bimës narkotike që më pas janë asgjësuar nga autoritetet shqiptare. Të dhënat nuk përfshijnë Lazarati.
– Në vitin 2014, gjatë 39 misioneve ajrore u identifikuan 815 plantacione kanabisi dhe një total prej 46 605 rrënjësh kanabis të cilat më pas u asgjesuan. Edhe në këtë rast nuk përfshihen të dhënat në Lazarat.
– Në vitin 2015 gjatë 39 misioneve ajrore u identifikuan 1368 plantacione në total prej 242 945 rrënjë kanabis të cilat u asgjesuan.
– Në vitin 2016, vit rekord u identifikuan 2086 plantacione në total 753 468 rrënjë të asgjesuara.
– Në vitin 2017, 53 misione ajrore kanë identifikuar 88 plantacione dhe një total prej 4844 rrënjësh të asgjesuara.
– Ndërsa që nga mesi i shtatori deri në 8 tetor 2017 janë zhvilluar edhe 5 misione të tjera, me financim të BE-së, të cilat kanë çuar në zbulimin e 2 plantacineve të tjera dhe asgjesimin e 473 rrënjësh kanabis.
Pavarësisht rezultateve, Komandanti i Përgjithshëm i GDF-së Toschi tha se në Itali këtë vit janë kapur shumë më tepër tonelata kanabis i ardhur nga Shqipëria se në vitet e kaluara:
“Në vitin e fundit GDF ka sekuestruar mbi 33 tonelata lëndë narkotike në brigjet italiane, ose 167 përqind më shumë se në vitin 2016.”
Në fjalën e tij, Ministri i Brendshëm Italian Marco Minniti theksoi se është e nevojshme që të goditen “të paprekshimit” e kultivimit të drogës:
“Duhet të godasim të paprekshmit, bandat e organizatat kriminale që kontrollojnë këto trafiqe, sepse në Shqipëri, në Itali në Evropë, nuk ka të paprekshëm. Ky është objektivi i rëndësishëm për të cilin duhet të punojmë së bashku.”
Ndërsa Ministri Xhafaj dhe Kreu i Policisë së Shtetit Çako i quajtën rezultatet e GDF-së si “rezultate historike” dhe vendimtare për zhdukjen e fenomenit të kanabizimit të Shqipërisë.