Shqipëria ka dështuar në përmirësimin e mekanizmave për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit sipas rekomandimeve të FATF.
Kështu u shpreh MONEYVAL, agjensia e cila merret me krimet finanaciare pranë Këshillit të Europës.
Pas një vlerësimi të bërë në vitin 2018, u vunë re një numër çështjesh dhe mangësish në trajtimin e krimit financiar. Shqipëria u vendos në një procedurë të avancuar vëzhgimi dhe iu kërkua të raportonte mbi bazë vjetore mbi progresin që ka bërë në lidhje me rekomandimet e bëra nga FATF.
Pritet që vendet të kenë adresuar shumë prej nëse jo të gjitha rekomandimet deri në fund të vitit të tretë, megjithatë duket se Shqipëria nuk e ka bërë këtë.
Mangësitë me pajtueshmërinë teknike u identifikuan në lidhje me sanksionet financiare të synuara, transparencën e rregullimeve ligjore, mbikëqyrjen e institucioneve financiare dhe bizneseve dhe profesioneve jo-financiare.
MONEYVAL gjithashtu shqyrtoi një sërë masash legjislative, rregullatore dhe institucionale të zbatuara nga Shqipëria për të adresuar këto mangësi. Ai zbuloi se janë marrë vetëm disa hapa pozitivë nga autoritetet në lidhje me sanksionet e synuara financiare, të cilat nxitën që vlerësimi për Rekomandimin 6 të FATF të ndryshonte nga “jo i pajtueshëm” në “pjesërisht i pajtueshëm”.
Çështjet e ngritura përfshijnë mungesën e kërkesave “e nevojshme dhe të përshtatshme” për licencismin e kazinove. Në ligjin shqiptar nuk përmendet që pronarët kriminelë ose bashkëpunëtor të krimit të përjashtohen nga procesi i licencimit. Ata gjithashtu vunë në dukje se kishte masa të kufizuara për të ndaluar kriminelët dhe bashkëpunëtorët e tyre nga kontrolli dhe administrimi i bizneseve.
Sanksionet nuk ishin proporcionale dhe nuk sigurojnë një pengesë për ata që dëshirojnë të përfshihen në një veprimtari kriminale.
“Janë ndërmarrë hapa të kufizuar për të përmirësuar pajtueshmërinë me rekomandimet e tjera, por ka ende boshllëqet. Shqipëria inkurajohet të vazhdojë përpjekjet e saj për të adresuar mangësitë e mbetura. ”
Shqipëria pritet të adresojë çështjet e pazgjidhura dhe t’i raportojë në Plenare brenda një viti.