Komisioni Europian bëri publik të mërkurën raportin e përparimit të Shqipërisë për vitin 2020.
Raporti i këtij viti, ka rëndësi të veçantë sepse prej tij varet nisja praktike e negociatave të BE-së me Shqipërinë. Kjo pasi në mars 2020, Bashkimi Europian vendosi të hapë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Fillimi i bisedimeve në praktikë për vendin tonë u kushtëzua me përmbushjen e disa kushteve.
Për plotësimin e tyre, iu la detyrë Komisionit Europian të raportonte.
Çfarë thekson raporti për reformat e bëra nga vendi?
Në emisionin e së enjtes ‘Me Pak Fjalë’ në Euronews Albania, Neritan Sejamini shpjegoi shkurtimisht gjetjet kryesore të raportit.
Reforma Zgjedhore vlerësohet si e përmbushur.
Në thelb KE kërkonte zbatimin e rekomandimeve të OSBE-së. Ato u dakordësuan në Këshillin Politik.
Qendrimi i komunitetit ndërkombëtar është se ndryshimet e njëanshme të sistemit zgjedhor nga socialistët nuk kanë shkelur kërkesat e OSBE-së dhe janë të ligjshme – edhe pse u miratuan pa konsensus.
Në fakt, krijimi i Këshillit Politik kontriboi jo vetëm për reformën zgjedhore, por i dha fund krizës politike.
Për këtë arsye, duhet vlerësuar roli i opozitës: pa uljen e saj në Këshillin Politik raporti i progresit do të ishte shumë më ndryshe.
Reforma në Drejtësi konsiderohet e përmbushur: vetingu ka vazhduar, SPAK dhe BKH janë krijuar, Gjykata e Lartë ka filluar punën edhe pse ende jo plotësisht.
Raporti pranon dështimin për krjimin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk bën përgjegjës askënd.
Ky qendrim i ka lejuar Kryeminsitrit Rama të ripërsërisë justifikimet e tij për vonesën edhe në prani të Komisionerit Varhelyi.
Për luftën kundër krimit të organizuar raporti thekson se Shqipëria ka bashkëpunuar në operacione të suksesshme ndërkombëtare kundër trafikimit të drogës.
Por Komisioni injoron gjendjen e krimit të organizuar në Shqipëri, duke u mjaftuar me disa përmirësime ligjore dhe sekuestrime pasurish të kryera muajt e fundit.
Për luftën kundër korrupsionit, raporti mjaftohet me vlerësimin e hetimeve për disa gjyqtarë të përjashtuar nga vetingu. Komisioni nuk përmend mungesën e hetimeve dhe dënimeve për zyrtarë të lartë.
Në lidhje me liritë, Komisioni ka marrë të mirëqenë premtimin e qeverisë se do ta ribëjë ligjin e mediave në përputhje me rekomandimet e Venezias. Në fakt rishikimi duhet të kishte ndodhur tashmë.
Njësoj, Komisioni merr për të mirëqenë premtimin për ligjin për mbrojtjen e minoriteteve, si dhe përmirësimin e zbatimit të ligjit të pronës.
Komisioni ka injoruar kushtin për të shqyrtuat në rrugë ligjore legjitimitetin e zgjedhjeve lokale 2019. Raport nuk e përmend këtë kusht.
Kjo çështje është, tashmë, e harruar edhe nga politika shqiptare, prandaj askush nuk po ankohet për këtë “harresë” të Komisionit.
Komisioni është treguar bujar në vlerësimin e pëmbushjes së kushteve për fillimin e bisedimeve, duke i rrumbullakosur pozitivisht të gjitha çështjet e debatueshme.
Tani, do të jetë Këshilli Europian që do të vendosë në dhjetor nëse do të pranojë vlerësim zemërgjerë të Komisionit apo do të tregohet më i rreptë për përmbushjen e kushteve.