Thorstein Frei, deputet i Bundestagut dhe raportues për Shqipërinë i grupit parlamentar CDU/CSU, deklaroi se nuk ka asnjë mundësi që negociatat mes Shqipërisë dhe BE-së të nisin përpara fundit të vitit 2019.
Në një intervistë për Deutsche Welle, Frei u shpreh se për Gjermaninë, Shqipëria duhet të bëjë reformën zgjedhore përpara se të kërkojë hapjen e negociatave:
“Pra, e thënë më saktë: konferenca e parë e anëtarësimit do të bëhet vetëm kur zgjedhjet e reja për pushtetin lokal të zhvillohen në bazë të reformës së re zgjedhore të miratuar me konsensus.”
Në intervistën e tij, ndër të tjera, Frei pohoi:
- Në Bruksel u ra dakord se kjo çështje [hapja e negociatave për Shqipërinë] do të jetë sërish në agjendë në vitin 2019, pra, pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian.
- Zonja Merkel nuk foli për këtë temë. Meqë nuk pati ujdi me Bundestagun, ajo nuk kishte se si të fliste për negociatat në Bruksel.
- Por është e qartë se: Para se qeveria gjermane të japë votën e saj, ajo duhet të ketë një mandat nga Bundestagu gjerman. Pra, ende duhet të votojmë për mocionet tona.
- Ne, si grup parlamentar i partive CDU e CSU, do ta kishim mirëpritur qysh tani një vendim për çelje negociatash me kushte. Për Shqipërinë do të kishim qenë dakord për çeljen e negociatave nëse do të ishin përmbushur dy kushte: përfundimi i vetting-ut për 57 gjyqtarët dhe prokurorët më të lartë dhe përmbyllja e reformës zgjedhore.
- Pra, e thënë më saktë: Konferenca e parë e anëtarësimit do të bëhet vetëm kur zgjedhjet e reja për pushtetin lokal të zhvillohen në bazë të reformës së re zgjedhore të miratuar me konsensus.