Reagimet zyrtare publike kanë qënë të pakta për sekuestrimin nga Prokuroria të televizionit Ora News.
Nga partitë politike ka reaguar vetëm Partia Demokratike në një deklaratë të përmbajtur përmes Albana Vokshit. PD kërkoi transparencë dhe dënoi përdorimin e Forcave Renea në ambjentet e televizionit.
Gjithashtu ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e quajti sulm politik ndaj emisioneve të gazetarëve të këtij televizioni ndaj qeverisë.
Ndërkohë kanë munguar reagimet nga të gjitha shoqatat e mediave. Shumica e reagimeve kanë ardhur nga gazetarë të vetë televizionit dhe të mediave të tjera.
Sonila Meço i ka bërë thirrje të hetohen të gjitha mediat. Në një intervistë për Ora News, Meço tha:
“Duam përgjigje për të gjithë pronarët e mediave në Shqipëri. Nëse do ti shkosh deri në fund pronësisë së medias nise me të gjithë. Nuk përbën Ylli Ndroqi asnjë përjashtim me këtë çështje”.
Andi Bushati në një reagim në Facebook tha se:
“Në sekuestrimin e pasurive të pronarit të Ora News, Ylli Ndroqi, për shkak të aktivitetit të tij si trafikant, nuk duhet harruar edhe një detaj i vogël. Atë që po bën sot SPAK, donte ta bënte pak kohë më parë Ministria e Shëndetësisë, e cila kërkoi mbylljen e TV, pasi thërriste më shumë se dy vetë në studio”.
Fiori Dardha e quajti hakmarrje personale ndaj Ylli Ndroqit, e cila “tani, po kushton frike, presion, pasiguri tek gazetaret, tek pronaret e mediave, tek qytetaret. Sot jemi me pak te lire!”.
Bledian Koka e akuzoi SPAK se nuk reagoi “kur Ylli Ndroqi padit Erion Veliaj per kercenime… por ama kur gjyqi merr trajta serioze paditesi kthehet i paditur”.
Ilir Demaliaj, e cilësoi një sulm ndaj “një zëri që denoncon skandalet që shumë të tjerë nuk guxojnë sepse kanë ngrënë lugë nga çorba”.
Dritan Kaba e krahasoi sulmin ndaj Ndroqit me Dvoranin, i cili ende nuk po hetohet.
Ylli Ndroqi, pronari i televizionit RTV Ora, është ndaluar mëngjesin e së hënës nga forcat speciale pranë zonës së TEG-ut, në Tiranë.
Prokuroria Speciale Anti-Korrupsion, SPAK ka njoftuar se ka dyshime të arsyeshme, se Ylli Ndroqi, i njohur dhe me emrin Xhemail Pasmaçiu, ka qënë i përfshirë në aktivitete kriminale.