Real Madrid, rruga e rikthimit te suksesi në Champions League kalon nga Bernabeu

Nga Erblin Vukaj
Real Madrid, rruga e rikthimit te suksesi në Champions League kalon nga Bernabeu

Dy javë pas humbjes 3-0 përballë PSG, Reali i Madridit i rikthehet Champions League-ës me synimin për të lënë pas gjithçka.

Në Bernabeu, përballë do të ketë belgët e Club Brugge, të cilët barazuan (0-0) me Galatasaray. Në Grupin A faktikisht Reali gjendet i fundit me zero pikë, përpara ka Galatasaray (1); Club Brugge (1) dhe PSG (3). Për këtë sfida konsiderohet vendimtare për të kthyer situatën.

Në konferencën për shtyp, trajneri Zinedine Zidane, u shpreh se nuk i nënvlerësonte kundërshtarët, por që e konsideronte këtë ndeshje, “përballjen e duhur për momentin që po kalon skuadra”.

Në fundjavë Reali barazoi pa gola derbin madrilen me Atleticon. Në tërësi ishte një ndeshje e kënaqshme për Zidane, që e ka parë skuadrën të ngjitet në krye të kampionatit spanjoll me 15 pikë, 1 më shumë se Atletico dhe 2 më shumë se Barcelona.

Në tre ndeshjet e fundit Reali nuk ka pësuar asnjë gol dhe ky për trajnerin francez është një tregues se gjërat kanë shkuar mirë.

Megjithatë statistikat dhe loja nuk është ende ajo e një Reali. Që pasi është rikthyer në krye të skuadrës, Zidane nuk ka sjellë ende diçka ndryshe në grup.

Ai e mori përsipër projektin, pasi iu premtuan investime dhe se nëse nuk do të pranonte Reali do të angazhonte Jose Mourinhon.

Gjatë verës Reali shpenzoi 300 milionë euro për Hazard (100milionë); Jovic (60milionë); Militao (50milionë); Mendy (48milionë); Rodrygo (45milionë), por deri më tani asnjëri prej tyre nuk ka shkëlqyer.

Nga këto emra, Hazard është ai më nën presion, por që në deklaratën për shtyp përpara ndeshjes me Club Brugge është shprehur se “njëjtë si të gjithë të tjerët edhe ai pret shumë nga vetja”.

Francezi shpreson që mbrëmja e parë Champions në Bernabeu për të të jetë me një gol, kjo duke patur parasysh se ende nuk ka shënuar me fanellën e bardhë.

Nga grupi Zidane ka të lënduar Valverden, Iscon, Diazin, Mendy, Asension dhe Marcelon, këta tre të fundit janë në riaftësim dhe me gjasa braziliani mund të jetë gati kundër Club Brugge.

Statistikat tregojnë se Reali nuk ka humbur asnjë ndeshje të parë në shtëpi të luajtur për Champions League, gjë që Zidane synon ta vazhdojë më tej me qëllimin për të rigjetur grintën e një skuadre që deri më tani duket e humbur, shumë larg asaj që u shpall 3 herë radhazi kampione Evrope.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>