Deklaratat e fundit të presidentit maqedonar Gjorge Ivanov se nuk do të votojë në referendumin e 30 shtatorit për çështjen e emrit, duket se kanë acaruar edhe më tej marrëdhënien e presidentit me qeverinë e Zaev.
Gjatë një takimi në SHBA me diasporën maqedonase, dy ditë më parë, presidenti Ivanov deklaroi:
“Dy herë e kam fituar besimin e qytetarëve për të mos lejuar ndryshime në Kushtetutë, për të mos ndryshuar emrin kushtetues, për të mos pranuar idetë dhe sugjerimet që do të rrezikonin identitetin kombëtar, kombin maqedonas, gjuhën maqedonase dhe modelin bashkëjetesës në Maqedoni. Unë nuk devijoj nga premtimi im. Prandaj, më 30 shtator, nuk do të dal për të votuar.”
Ivanov shpjegoi se marrëveshja Maqedoni-Greqi për të ndryshuar emrin e Maqedonisë është në dëm të Maqedonisë:
“Mendoj se kjo marrëveshje është e dëmshme për Maqedoninë. Asnjë politikan nuk ka mandat të negociojë për identitetin e një populli. Shumica e qytetarëve maqedonas nuk kanë votuar për program, me të cilin është paraparë ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, për të ndryshuar emrin e shtetit. Prandaj, as qeveria aktuale nuk ka marr mandat nga populli, e as nga votuesit për ndryshimin e identitetit, për heqje dorë nga diaspora, për humbjen e historisë.”
Për këtë deklaratë, ka reaguar menjëherë Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, i cili e ka quajtur të turpshme deklaratën e Ivanovit:
“Të thuash për këtë çështje për të cilën kemi humbur shumë gjenerata, 27 vjet kontest të pazgjidhur, se nuk do të votosh, është vërtetë e turpshme, është ikje nga përgjegjësia. Nuk mundet të rrini në shtëpi dhe të tentoni të ndikoni në rezultatin e referendumit. Për këtë do të vendosin vetëm se ata që dalin të votojnë”, tha Dimitrov.”
Ministri Dimitrov theksoi se ky referendum dhe marrëveshja me Greqinë është jetike për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.
“Rruga drejt NATO-s dhe BE-së ku bën pjesë edhe Greqia, çon vetëm përmes zgjidhjes së kontestit për emrin. Kjo mund mos të na pëlqej, por ky është realiteti.”
Referendumi për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit do të zhvillohet më 30 shtator. Pytja e cila do t’i drejtohet qytetarëve do të jetë “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”
Refendumi do të jetë konsultues për qeverinë dhe kuvendin, por nuk ka fuqi vendimmarrëse. Që referendum të quhet i vlefshëm duhet që në votim të marrin pjesë mbi 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në Maqedoni.