Reforma në Drejtësi: çfarë kërkon PD? – Exit Shpjegon

Reforma në Drejtësi: çfarë kërkon PD? – Exit Shpjegon

Hapi i parë i zbatimit të reformës në drejtësi është rivlerësimi i figurës së të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve për të siguruar që ata janë të kualifikuar profesionalisht dhe kanë integritetin e nevojshëm për të garantuar drejtësi të pavarur dhe të ndershme.

Procesi i rivlerësimit, i njohur ndryshe si procesi i vetingut, do të hetojë pasuritë, lidhjen me persona të krimit dhe aftësitë profesionale të punonjësve të mësipërm. Të gjithë personat që nuk e kalojnë vlerësimin do të përjashtohen menjëherë nga sistemi.

Sikurse e kemi shpjeguar në detaje këtu, rivlerësimi do kryhet nga dy institucione të posaçme që do të krijohen për herë të parë: a) Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili do të bëjë vlerësimin; dhe b) Kolegji i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, i cili do të shërbejë si organ për shqyrtimin e ankesave të vendimeve të Komisionit. Në proces do përfshihen edhe dy Komisionerë Publikë të cilët do përfaqësojnë interesin publik.

Mosdakordësia kryesore mes shumicës dhe opozitës ka qenë pikërisht për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këtyre dy institucioneve dhe vlerësimin e figurës së këtyre anëtarëve, për të siguruar se ata që do vlerësojnë figurën e të tjerëve të jenë vetë të pastër.

Më poshtë ne po shpjegojmë në mënyrë të përmbledhur—duke lënë jashtë detajet jo thelbësore— në renditje kronologjike të gjitha propozimet e bëra nga palët për mënyrën e zgjedhjes dhe verifikimit të anëtarëve të mësipërm.

Propozimi fillestar i Komisionit të Reformës

  • Procesi i përzgjedhjes së kandidaturave për anëtarë të Komisionit dhe gjyqtarë të Kolegjit do të organizohet nga Avokati i Popullit.
  • Procesi do të jetë transparent, publik dhe i hapur për çdo kënd që dëshiron të aplikojë— Avokati i Popullit bën thirrje publike për aplikim.
  • Avokati i Popullit verifikon nëse kandidatët që kanë aplikuar përmbushin kriteret formale të shpallura për kandidim dhe harton listën e kandidatëve që i plotësojnë këto kritere.
  • Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (i shpjeguar këtu) bën verifikimin e figurës së kandidatëve të listës (pasurisë, lidhjeve me krimin dhe aftësisë profesionale, sikurse është kemi shpjeguar në detaje po këtu) dhe bën rekomandimet përkatëse.
  • Avokati i Popullit ia dërgon listën e kandidatëve Kuvendit, së bashku me rekomandimet e Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit.
  • Nga lista e kandidatëve Kuvendi zgjedh me tre të pestat e votave 12 anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dy Komisionerët Publikë dhe shtatë gjyqtarët e kolegjit të Apelimit përmes një serie votimesh të nevojshme.
  • Nëse Kuvendi nuk arrin t’i zgjedhë të gjithë anëtarët brenda 30 ditësh, në ditën e 30-të, Presidenti i përzgjedh me short publik anëtarët, gjyqtarët dhe komisionerët publikë nga lista e kandidatëve të rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Kundërpropozimi i PD-së

Propozimi i mësipërm nuk u pranua nga PD, e cila fillimisht kërkoi që përzgjedhja e kandidatëve të bëhej mbi bazën e kandidaturave të propozuara në lista të veçanta nga shumica dhe opozita, dhe pastaj Kuvendi të votonte veçantë për të zgjedhur një numër të paracaktuar anëtarësh nga secila listë. Ky është varianti i ashtuquajtur i vendeve të rezervuara.

Nën këmbënguljen e shumicës dhe të SHBA-ve dhe BE-së, PD hoqi dorë nga variant i mësipërm dhe pranoi në parim idenë e propozuar nga shumica, por ngriti dy kundërshtime kryesore: a) nuk ishte dakord që verifikimin e plotësimit të kritereve të kandidimit ta bënte Avokati i Popullit, dhe b) nuk ishte dakord që vlerësimin e figurës së kandidatëve ta bëntë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), edhe pse ishte dakord që ONM ta mbikqyrte të gjithë procesin.

PD kundërpropozoi një variant sipas të cilit:

  • Procesin e shpalljes dhe pritjes së aplikimeve ta bënte Presidenti i Republikës.
  • Verifikimin e plotësimit të kritereve të kandidimit dhe vlerësimin e figurës së kandidatëve ta bënte Gjykata Kushtetuese përmes një paneli të përbërë me tre anëtarë të saj të përzgjedhur me short.
  • Për zgjedhjen e anatarëve nga Kuvendi ngrihet dy komisione ad hoc parlamentare— njëri i përbërë nga 12 anëtarë dhe tjetri nga 6 anëtarë, të ndarë në mënyrë të barabartë mes deputetëve nga shumica dhe atyre nga opozita. Komisioni ad hoc me 12 anëtërë do të përfshihet në përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit—i përbërë nga 12 anëtarë,—kurse komisioni ad hoc me 6 anëtarë në përzgjedhjen e 7 anëtarëve të Kolegjit të Apelimit.
  • Komisioni i madh ad hoc i zgjedh anëtarët e Komisionit të Kualifikimit, duke votuar sipas parimit: çdo anëtar i komisionit ad hoc ka vetëm një votë dhe mund të votojë vetëm për një kandidat; ndërkohë, çdo kandidat nuk mund të marrë më shumë se një votë. Në këtë mënyrë sigurohet që secili nga 12 anëtarët të komisionit ad hoc zgjedh një dhe vetëm një kandidat duke bërë në total pikërisht 12 anëtarët e Komisionit të Kualifikimit.
  • Lista e plotë e Komisionit të Kualifikimit dalë nga votimi më sipër i kalohet Kuvendit, i cili duhet të konfirmojë atë në bllok—pra jo çdo emër veç e veç, por gjithë listën e Komisionit në total—me dy të tretat e votave. Nëse Kuvendi nuk e konfirmon listën, komisioni i ad hoc voton një listë të re, të cilën Kuvendi duhet ta konfirmojë me tre të pestat e votave. Nëse edhe kjo listë rrëzohet, atëhere komisioni ad hoc voton një listë të re e cila pastaj konfirmohet nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë, pra me 71 vota.
  • E njejta procedurë zbatohej edhe për përzgjedhjen e 7 anëtarëve të Kolegjit të Apelimit, nga komisioni ad hoc parlamentar me 6 anëtarë. Ky komision zgjedh me procedurën e mësipërme 6 anëtarë të Kolegjit, ndërsa anëtari i shtatë zgjidhet me shumicë të thjeshtë të të gjithë anëtarëve të komisionit ad hoc. Lista pastaj konfirmohet në bllok nga Kuvendi sipas procedurës përshkruar më sipër.

Propozimi i Ndihmës Sekretares Nuland

Sikurse u theksua, propozimi i Zonjës Nuland kombinoi propozimet e mësipërme si më poshtë:

  • Nga varianti i shumicës ruajti mënyrën e përzgjedhjes paraprake të kandidatëve përmes Avokatit të Popullit dhe verefikimit figurës së tyre nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë.
  • Nga variant i opozitës ruajti mënyrën e votimit të tyre në Kuvend fillimisht me anë të komisioneve ad hoc dhe pastaj votimit në bllok nga i gjithë Kuvendi.

Propozimi i fundit i PD-së

  • Propozimi i fundit i PD-së heq dorë nga kryerja e verifikimit të kandidatëve nga Gjykata Kushtetuese dhe propozon që këtë verifikim ta bëjë komisioni ad hoc parlamentar me 6 anëtarë i përshkruar më sipër.
  • Misionit Ndërkombëtar të Vëzhguesve do të kenë rol mbikqyrës dhe këshillues, por jo vendim-marrës, në verifikimin e figurave të kandidatëve.
  • Votimi i anëtarëve në Kuvend mbetet i njejti si në dy variantet e fundit të hartuara sipas propozimit të vetë PD-së.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>