Skuadra e ekzekutimit u thirr në vendin e ekzekutimit, por nuk u përdor: 140 të ashtuquajturit “përfaqësues të popullit” votuan unanimisht nën kërcënimin amerikan, pa asnjë rezervë, pa asnjë kundërshtim, pa respektuar asnjë ligj dhe pa dinjitet politik e shoqëror.
Më pas, për t’i dhënë kuptim aktit të tyre, të gjithë lëshuan pohime epike mbi triumfin e politikës konsensuale. Por konsensus, sikurse e thotë vetë fjala, është ndjenja e përbashkësisë, e të menduarit në të njëjtën mënyrë, ndërkohë që në atë sallë të gjithë panë vetëm një gjë të përbashkët, frikën.
Teknikisht, reforma e drejtësisë që u miratua është ndoshta më e mira e mundshme—historia do ta tregojë—por për legjitimitetin e saj politik, të maskuar nën konsensusin e detyruar nga jashtë, pikëpyetjet shpejt do të marrin përgjigje.
Një parlament jolegjitim i mbushur me njerëz me lidhje të dyshuara kriminale, lehtësisht të kërcënueshëm nga kushdo që ka aftësi hetuese, ka mundur të blejë vetëm një dozë imuniteti duke festuar ritin e konsensusit unanim.
Nëse demokracia ka ende vlerë, pika thelbësore mbetet ajo e legjitimitetit të parlamentit—pra e qëndrimit të tij të vërtetë për të përfaqësuar vullnetin e popullit—dhe e vullnetit të vërtetë të popullit për të patur një drejtësi “të palëkundur” që fillon me zbatimin prej tij të ligjeve të miratuara nga parlamenti.
Edhe pse jeta shqiptare, shoqërore dhe private, është gjatë gjithë kohës në kërkim të shtigjeve të shkurtra, më në fund nevojitet të kuptohet se nuk ka shtigje të shkurtra në proceset e zhvillimit shoqëror, ashtu si fatkeqësisht nuk ka shtigje të shkurtra në proceset e zhvillimit ekonomik.
Keqkuptimi i madh i integrimit evropian e ka bërë parlamentin shqiptar të miratojë volume të tëra ligjesh që fusin në Shqipëri një sërë parashkrimesh juridike, të cilat janë krejtësisht të huaja me kulturën vendase—tërësinë e normave jo të shkruara, por të pranuara gjerësisht të cilat rregullojnë bashkëjetesën qytetare.
Shumë nga këto urdhëresa ligjore të përkthyera keq dhe dhe të pakuptueshme as nga vetë ligjbërësi, nuk kuptohen, nuk konsiderohen dhe nuk perceptohen fare si krime nga shumica e popullsisë, ndaj për këtë arsye ajo nuk shqetësohet fare që i shkel.
Shembujt janë pafund: ligji kundër pastrimit të parave, ligji i ndalimit të kultivimit të bimëve narkotike, ligjit anti duhan, të gjitha ligjet për të drejtat e autorit, për të mos folur për ligjin e falimentimit apo të ekzekutimit me forcë të borxheve, apo të lejeve të ndërtimit (600 mijë legalizime). Por të gjitha zbehen përpara shembullit ulëritës dhe grotesk që dha një sistem i tërë qeverisjeje me qëllimin për të marrë, me premtime apo kërcënime, votën e çdo deputeti “për të reformuar drejtësinë dhe luftuar korrupsionin”.
Historia jonë e tanishme është plot me ligje që përcjellin kuadrin ndërkombëtar në legjislacionin vendas dhe që më pas zbatohen në mënyrë krejt të gabuar në Shqipëri. Ky realitet mund t’i faturohett klasës politike, por ai mbi të gjitha është një problem i përhapur kulture. Ligjet, përpara se të jenë mjeti i gjykatësit dhe i policit, duhet të jenë sinqerisht dhe ngushtësisht të pranuara nga populli, ose të paktën nga shumica e tij, përndryshe zbatimi i tyre do të jetë një dështim. Ky është konsensusi i vetëm i vërtetë.