21 korriku: Kur vritet ligji

Nga Neritan Sejamini
21 korriku: Kur vritet ligji

Një nga shkaqet kryesore të situatës dramatike ku gjendet sot i gjithë projekti disa vjeçar i hartimit dhe realizmit të një reforme në drejtësi është vendimi fatkeq për miratimin në Kuvend të reformës me një procedurë të paligjshme.

Sikurse e shpjeguam këtu tre javë më parë dhe askush nuk dëgjoi, miratimi i reformës në drejtësi duhet të bëhet në përputhje me Rregulloren e Kuvendit—një nga ligjet më të rëndësishme pas Kushtetutës—e cila përcakton procedura të qarta dhe të ngurta për shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Këto procedura sigurojnë jo vetëm kohën e mjaftueshme për shqyrtimin e ndryshimeve të propozuara në Kushtetutë, por mbi të gjitha sigurojnë transparencë totale publike mbi qëndrimet e çdo kujt dhe argumentet e çdo kujt—ato sigurojnë informimin e publikut dhe marrjen e mendimeve nga ekspertë të pavarur dhe të papërfshirë ne hartimin e ndryshimeve.

Procedura e përcaktuar në ligj nuk përcakton datë votimi në seancë plenare, por përcakton kohëzgjatjen minimale të detyrueshme për secilën nga fazat e procesit të shqyrtimit parlamentar. Kjo do të thotë se ligji cakton afatet minimale që duhen respektuar për të shqyrtuar dhe miratuar Kushtetutën, duke lënë të pakufizuar kohëzgjatjen totale të procesit. Qëllimi i kësaj qasjeje në afate nuk është ngutja, nxitimi nën trysni dhe detyrim, por e kundërta: shmangia e ngutjes dhe mundësimi i një kohëzgjatje minimalisht të mjaftueshme për deputetët, por edhe publikun e gjerë, për t’i njohur dhe për të diskutuar e debatuar me përgjegjësi ndryshimet e propozuara.

E kundërta ndodhi në rastin e reformës në drejtësi—për miratimin e saj u shkel çdo përcaktim i Rregullores së Kuvendit: u anashkalua e gjithë procedura e domosdoshme e shqyrtimit parlamentar duke kaluar direkt në votim; u shkel kërkesa për informimin e publikut dhe transparencë të plotë publike gjatë diskutimeve; u caktua një datë votimi në shkelje të afateve minimale të detyrueshme për t’u respektuar gjatë procesit të shqyrtimit.

Parlamentarët tanë, të cilët pretendojnë drejtësi, treguan se nuk kanë as respektin dhe as vullnetin më minimal për t’ju nënshtruar ligjit, pasi zgjodhën një proces jashtëparlamentar dhe jashtëinstitucional për të diskutuar, propozuar dhe siguruar shumicën e nevojshme për miratimin e reformës. Ata zgjodhën të diskutonin jo në komisionet parlamentare siç kërkon ligji, por në tavolina partiake dhe në takime individuale zyrash, të gjitha jashtë syrit të publikut.

Kuvendi—bartës i sovranitetit dhe përfaqësues i vullnetit të popullit—u trajtua si një shtojcë e parëndësishme e kryetarëve partiakë, konsulentëve të huaj me pagesë, apo ambasadorëve të huaj, për ndoshta çështjen më të rëndësishme që mund të ketë një popull: ndryshimin radikal të Kushtetutës së tij.

I gjithë procesi i diskutimit të ndryshimeve kushtetuese, gjatë dy muajve të fundit, ka qënë proces korridoresh, pa asnjë element institucional dhe asnjë lloj transparence. Sot, nuk dihet se kush ka propozuar çfarë; nuk dihet kush ka kundërshtuar çfarë; nuk dihet çfarë u ra dakord dhe kur u ra dakord; nuk dihet se çfarë kuptoi njëra palë dhe çfarë kuptoi tjetra nga ato që u thanë. Nuk ka shënime zyrtare, nuk ka proces-verbale takimesh e mbledhjesh; nuk ka sqarime publike të pozicioneve; nuk ka asnjë draft të botuar që reflekton ndryshimet e njëpasnjëshme.

Sot nuk dihet asnjë arsyetim, asnjë argument, asnjë shpjegim mbi Kushtetutën e re të popullit. E vetmja gjë që dimë janë seria e gjatë e fajësimeve, sharjeve, kërcënimeve, trysnisë që secila palë i bëri tjetrës; në veshë na kumbojnë veç batutat, kunjat, metaforat banale, alegoritë idiote me anë të cilave na u “shpjegua” Kushtetuta jonë e re dhe “revolucioni” në drejtësi.

Ndryshimi i kushtetutës duhet të ishte një proces që i takon popullit, por ai përfundoi në një proces skutash, të njerëzve që nuk kanë asnjë respekt dhe asnjë vullnet për të përfillur dhe pyetur popullin.

Sot, ne po ndeshemi me pasojat e dhunimit të ligjit: rrezikimit të një reformë të nevojshme vetëm sepse u caktua një procedurë dhe datë e paligjshme për miratimin e saj; ndërkohë që i gjithë procesi i deritanishëm u zhvillua në fshehtësi dhe askush nuk di më se çfarë është folur e çfarë është vendosur.

Mbi të gjitha, sepse politikanët tanë nuk e konsideruan reformën proces shtetndërtimi, por si një betejë të zakonshme për pushtet politik personal dhe për asgjësimin e kundërshtarit.

Dhe në luftën tonë politike nuk ka skrupuj, nuk ka rregulla, nuk ka ligje: ka vetëm vullnet të palëkundur për të fituar me çdo kusht dhe me çdo kosto.

Ndërkohë, Shqipëria është sot më shumë se kurrë larg shtetit të së drejtës edhe nëse Kuvendi e miraton, të ashtuquajturën, reformë në drejtësi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>