Nuk e duam më elitën politike! Ky është mesazhi që po duket se po japin qytetarët amerikanë në zgjedhjet partiake për kandidatët për president të SHBA-ve.
Mbas Shtetit të Ajouës, këtë të martë u zhvilluan primaret në Shtetin e Nju Hempshër. Fituesit e tyre ishin Berni Sanders për demokratët me mbi 60 përqind të votës, duke lenë ndjeshëm mbrapa Hilari Klintonin, që mori vetëm 38 për qind; dhe Donald Trump fitoi për republikanët me rreth 35 përqind të votës, më shumë se dyfishin e të dytit, Xhon Kasiç.
Rreth dy javë më parë në Ajoua, Sanders kishte barazuar me Hilari Klinton ndërsa Trump kishte dalë i dyti me diferencë të vogël ndaj të parit.
Për të kuptuar më mirë mesazhin e qytetarëve të Ajouës dhe Nju Hemshërit duhet patur parasysh se Bernie Sanders është një socialist 74 vjeçar, i cili nëse do zgjidhet do të jetë, jo vetëm presidenti më i moshuar që kanë patur ndonjëherë SHBA-të, por edhe i i pari president socialist; ndërsa Donald Trump është një miliarder egocentrik, pa asnjë lloj përvojë në politikë apo në sektorin publik. Bernie Sanders konsiderohet nga shumë si ekstremist i majtë me ide të rrezikshme për Amerikën, ndërsa Trump si klloun dhe qesharak.
Sanders dhe Trump nuk duhet të ishin fituesit e primareve. Sanders e Trump nuk duhet të jenë kandidatët presidencialë të SHBA-ve. Ky është mendimi unanim i elitës amerikane, veçanërisht elitës politike.
Por, qytetarët ameriknë duket se janë të revoltuar me këtë elitë dhe me votën e tyre, kanë sjellë një pështjellim që nuk është parë kurrë më parë.
Ndërsa më parë ka patur një kandidat që mund të dukej i papërgatitur për të qenë president, përfshi edhe Presidentin Obama, këtë herë të dy, Sanders dhe Trump, konsiderohen të papërshtatshëm dhe të paaftë për të drejtuar Amerikën.
Ky realitet është tregues i krizës së besimit që kanë amerikanët tek politika dhe është refuzim në shkallë të gjerë i elitës aktuale. Aktualisht, më shumë se 42 përqind e amerikanëve nuk gjejnë vlerat dhe qëndrimet e tyre tek asnjëra nga partitë politike. Sipas një vrojtimi të opinionit, vetëm rreth 20 përqind e amerikanëve kanë besim gjithmonë apo shumicën e kohës tek qeveria e tyre. Ndërkohë shumica e amerikanëve janë të zhgënjyer nga politika aktuale dhe mendojnë që Ëndrra Amerikane tashmë është e paarritshme.
Kjo situatë ka kohë që vlon. Vetë zgjedhja e Barak Obamës ishte shprehje e pakënaqësisë së Amerikës me elitën politike, por tashmë Presidenti Obama konsiderohet zhgënjim nga shumë amerikanë.
Tashmë duket se amerikanët kanë vendosur ta refuzojnë dhe braktisin në mënyrë masive elitën e tyre politike.