Rëndësia e ruajtjes së Vjosës, një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë

Nga Exit News
Rëndësia e ruajtjes së Vjosës, një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë

Lumi i Vjosës është një nga pasuritë më të mëdha natyrore që ka Shqipëria por ndonëse është në rrezik, ai nuk është pjesë e fushatave elektorale të partive kryesore të vendit.

Të paktën në tre vitet e fundit, mund të themi se pas Tiranës, Vjosa është vendi më i njohur në Shqipëri për të huajt. Për mbrojtjen e Vjosës nga ndërtimi i hidrocentraleve kanë folur disa nga institucionet më të rëndësishme botërore dhe europiane, kanë ngirtur zërin yje të artit botëror dhe janë shkruar artikuj nga gazetarë nga e gjithë bota.

Në emisionin “Me Pak Fjalë” u tregua një panoramë e fakteve që e bëjnë këtë lum kaq të rëndësishëm.

Vjosa është për nga gjatësia dhe rëndësia lumi i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri pas Drinit.

Ajo buron në malet e Pindit në Greqi ku njihet me emrin Aoós. Prej andej, lumi rrjedh përgjatë 80 kilometrave, deri sa hyn në Shqipëri në zonën e Çarshovës ku më pas njihet me emrin Vjosa.

Rrjedha e Vjosës në Shqipëri është 192 kilometra dhe përfundon në Detin Adriatik, në veri të lagunës së Nartës, një nga lagunat më të mëdha dhe më të pasura ekologjikisht të Shqipërisë dhe si e tillë e caktuar si Peizazh i Mbrojtur.

Lumi dhe e gjithë hapësira rreth tij janë një pasuri e madhe e bimësisë dhe e gjallesave.

Në luginën e Vjosës, janë rreth 1100 specie të ndryshme bimësh dhe kafshësh, nga të cilat 140 janë të mbrojtura sipas ligjit shqiptar.

40 prej këtyre specieve janë të rrezikuara dhe të përcaktuara si të tilla ndërkombëtarisht.

Në ekosistemin e luginës së Vjosës mund të gjejmë:

  • 84% të specieve të gjitarëve të njohur në Shqipëri.
  • 80% të specieve të gjallesave ujore të njohura në Shqipëri
  • 86% të specieve të zvarranikëve të regjstruar në Shqipëri
  • 80% të specieve të zogjve të njohur në Shqipëri

Më shumë se 70 specie zogjsh,  janë të pranishëm në hapësirën e mbuluar nga Vjosa.

Por pavarësisht biodiversitetit të larmishëm, ajo që ka kthyer edhe sytë e botës nga lumi i Vjosës është fakti se ai është një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë. Shtrati dhe rrjedha e lumit nuk janë ndryshuar nga njeriu dhe një fakt i tillë nuk ekziston më në Europë përveç Rusisë.

Faktet e mësipërme e bëjnë këtë lum jo vetë një pasuri natyrore të rrallë në të gjithë botën por edhe pasuri ekonomike, një pasuri për argëtimin dhe industrinë e turizmit.

Në fakt, Vjosa është kthyer vitet e fundit në një nga tërheqjet kyesore turistike në vend.

Turizmi rekreativ në Vjosë dhe degët e tij janë gjithnjë në rritje, si rafting, kanotazh, not, etj.

Shumë biznese të vegjël dhe të rinj si kompanitë e eko-turizmit në zhvillim, kanë bazuar ekzistencën e tyre në rrjedhat natyrore të Vjosës.

Të gjitha këto rrezikohen pasi mbi shtratin Vjosës janë planifikuar të ndërtohen 8 diga ndërsa në degët e lumit 23 hidrocentrale të vegjël. Puna për momentin është pezulluar nga presion i madh ndërkombëtar dhe vendas që është ushtruar ndaj qeverisë.

Çështjet janë në gjykatë ndërsa kërkesa ndaj qeverisë është të shpallë të gjithë shtratin e Vjosës, Park Kombëtar të Mbrojtur, si e vetmja mënyrë që aty të mos bëhen ndryshime nga dora e njeriut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>