Reporterët Pa Kufij kërkojnë uljen e sanksioneve për median gjatë fushatës

Nga Alice Taylor
Reporterët Pa Kufij kërkojnë uljen e sanksioneve për median gjatë fushatës

Reporterët pa Kufij i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare të ulë sanksionet e vendosura ndaj mediave në kodin zgjedhor, gjatë fushatës zgjedhore. Në një Tweet, ata iu referuan “sanksioneve të tepërta me të cilat përballen mediat”.

 

Ndryshimet në kodin zgjedhor, të bëra gjatë verës së vitit të kaluar përfshijnë një sërë sanksionesh që mund të kenë ndikim në lirinë e medias. Ato përfshijnë gjoba të konsiderueshme dhe të drejtën për të mbyllur një media për dy ditë nëse nuk është në përputhje me standardet e përcaktuara në kod.

Në radio dhe televizion privat, mbulimi i fushatës zgjedhore duhet të bëhet vetëm në edicione të rregullta dhe speciale informuese. Ato nuk mundt’i japin kohë televizive subjekteve politike për mbulimin e fushatës.

Nëse një media gjykohet se ka shkelur minutazhin e caktuar mund të gjobitet nga 1,5 milion lekë (12,153 EUR) deri në 3 milion lekë (24,300 EUR).

Nëse situata përsëritet, stacioni televiziv mund të bllokohet për 48 orë.

Dispozitat përcaktojnë që televizionet duhet të zbatojnë kritere profesionale, të ndalojnë propagandën dhe brenda të ashtuquajturave “shfaqje informuese” gazetarët nuk lejohen të shprehin komente personale për një qëndrim politik. Në rast shkeljesh, gjobat variojnë nga 1 milion lekë (8000 EURO) deri në 2,5 milion lekë (20,256 EURO).

Në rast të organizimit të debate politike midis kandidatëve politikë, nga stacioni televiziv kërkohet të “mbajë ekuilibrin” midis partive politike. Dënimi për shkeljen e kësaj është mbyllja e të gjithë stacionit për 48 orë. ‘

Të gjitha gjobat duhet të paguhen, pavarësisht ankesës nga media në gjykatë.

Këto rregulla ngrenë disa shqetësime. Së pari gjobat janë tepër të larta dhe mund të dëmtojnë një stacion televiziv të vogël ose të mesëm. Së dyti, mbyllja e një stacioni televiziv për dy ditë është e tepruar dhe një dënim i pazakontë.

Koloreto Cukali nga Këshilli Shqiptar i Medias tha se duket absurde që një stacion i tërë të mund të mbyllet për dy ditë, për një koment në një bisedë.

Ai shtoi se formulimi i ligjit është problematik pasi nuk ka përkufizim të “ekuilibrit”, “komente politike”, ose standardeve etike që duhet të zbatohen. Pa këto përkufizime, ligji mund të keqpërdoret për të heshtur zërat kritikë. Për më tepër, ai vuri në dyshim aftësinë e AMA-s që do të mbikëqyrë pajtueshmërinë, për të gjykuar mbi çështjet subjektive dhe standardet etike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>