“Nëse qeveria Rama miraton projektligjet e medias në formën e saj aktuale, ajo do të rrezikojë seriozisht shanset për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.”
Kështu deklaroi sot Reporteri i Parlamentit Europian për Shqipërinë nga grupi parlamentar i PPE-së, David Lega, përmes një postimi në Twitter.
Zoti Lega thekson se qeveria shqiptare duhet të përafrohet me kriteret e Kopenhagenit, që janë standardi bazë dhe minimumi për një vend kandidat, në rast se synon të integrohet në BE.
Ky është reagimi i dytë i fortë i Partive Popullore Europiane. Një ditë më parë, Lega shkroi se miratimi i dy projekligjeve të medias rrezikon jo vetëm integrimin europian, por dhe presidencën e Shqipërisë për OSBE-në.
Ndërkohë që deputetët po diskutojnë në seancën plenare dy projektligjet, gazetarët po protestojnë jashtë parlamentit kundër miratimit të tyre.
Po sot, Avokati i Popullit kundërshtoi dy projektligjet duke sqaruar se ato nuk plotësojnë standardet e të drejtave të njeriut dhe cenojnë rëndë lirinë e medias.