Pas 74 vjetësh, eshtrat e Mid’hat Frashërit u riatdhetësuan sot nga SHBA-ja në Tiranë, ku dhe do të prehen, bashkë me tre vëllezërit Frashëri, në varrezat monumentale.
Homazhet për personalitetin e shquar të politikës, kulturës dhe letrave shqipe po zhvillohen në Akademinë e Shkencave.
Mid’hat Frashëëri ka qenë Kryetar i Kuvendit të Kongresit të Manastirit në vitin 1908 dhe nënkryetar i komisionit që vendosi alfabetin latin për gjuhën shqipe dhe shkrimin në shqip.
Frashëri po ashtu nga viti 1908 botoi revistën kulturore dhe politike Lirija, një prej revistave të pakëta që synonte të ndërgjegjësonte shqiptarët për pavarësinë.
Frashëri ishte Anëtar i Delegacionit Shqiptar në Konferencës së Paqes në Paris si Delegat i Vatrës së Stambollit dhe në 1912, u emërua ministër i infrastrukturës në qeverinë e parë shqiptare të Ismail Qemalit.
Ndër të tjera Frashëri ishte dhe Ambasador i Shqipërisë në Athinë ku luftoi për njohjen e çështjes çame dhe të drejtave të popullsisë çame. Ai themeloi në vitin 1942 partinë Balli Kombëtar.
Mid’hat Frashëri ka dhënë kontribut të veçantë dhe në fushën e letrave e kulturës, Ai nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897. Ai ka shkruar e botuar në frëngjisht studime dhe pamflete për popullin, historinë dhe gjuhën shqipe duke thelluar njohjen e botës për Shqipërinë e shqiptarët. Po ashtu, Frashëri ka shkruar në fregngjisht veprën “Shqiptarët dhe sllavët”, një ndër veprat e para që analizon dhe argumenton faktin se Kosova është tokë shqiptare.
Frashëri njihet dhe për përkthimet e veprave të shquara të letërsisë botërore si “Robinson Crusoe” e Defosë apo “Guillaume Tell” të Lamartinit.
Në nëntor 1944, si kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Mid’hat Frashëri largohet për në Itali dhe më pas në vitin 1949 zhvendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mid’hat Frashëri humbi jetën si pasojë e një ataku kardiak në maj 1949 në New York, ku dhe preheshin eshtrat e tij deri më sot.
Kërkesa për tërheqjen e eshtrave të mendimtarit shqiptar u bë nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, i themeluar nga deputeti demokrat Agron Shehaj dhe studiuesi i njohur Uran Butka.