Richard Thaler u shpall sot fituesi i çmimit Nobel për Ekonominë, për kontributin e tij në ekonominë e sjelljes.
Çmimi Nobel për Ekonominë u dha për herë të parë në vitin 1968 në kujtim të kimistit suedez Alfred Nobel dhe jepet nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.
Juria, gjatë shpalljes së çmimit sot në Stokholm, tha se Richard Thaler është një prej pionerëve të ndërthurjes së psikologjisë me sjelljen ekonomike dhe se puna e tij për mënyrën se si njerëzit marrin vendime ekonomike është një kontributi i madh për gjithë shoqërinë.
Puna kërkimore dhe shkrimet e Thaler tregon se si shpeshherë njohuritë jo të plota të njerëzve gjatë vendimmarrjes, preferencat dhe ndjesitë, apo vendimet e marra pa u menduar gjatë ndikojnë drejtëpërsëdrejti në politikat ekonomike të një vendi.
Richard Thaler prej vitit 1995, është profesor i ekonomisë së sjelljes në Universitetin e Chicagos. Ai është po ashtu drejtor i Qendrës Kërkimorë për Vendimet dhe bashkë-drejton, me një tjetër fitues të Nobelit, Rober Shiller, Projektin e Ekonomisë së Sjelljes në Zyrën Kombëtare të Kërkimeve Ekonomike.
Me librin e tij “Nudge”, një prej më të shiturve në botë, Richard Thaler ndihmoi në përhapjen e idesë se njerëzit duhen “nxitur” për të bërë atë që është më e mira për ta.