Tek shikoj të përlotur maturantin e radhës që zbret nga shkallët e universitetit, më kujtohet hidhshëm që bash 28 vite më parë, me kokë të ulur dhe lot në sy, ish-shoqet e mia të klasës, zbrisnin shkallët e Komitetit Ekzekutiv…
Nuk u kishte dalë shkolla, nuk u kish dalë dega që dëshironin, nuk ishin fare në listë… nuk, nuk, nuk.
Dhe ja ku ia arritëm sërish kësaj dite! Në vend të Komitetit Ekzekutiv që caktonte se kush, ku dhe në çfarë dege do të shkonin maturantët, tani kemi një komitet ekzekutiv të sofistikuar që quhet Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP).
Komiteti ekzekutiv i dikurshëm, armiku më i madh i maturantëve, do t’ua kishte zili metodat dhe format që përdori sivjet Ministria e Arsimit dhe AKP për të frenuar, denigruar e sabotuar ecurinë e regjistrimeve dhe hyrjen në universitet.
Po fundja, u dhimbsen maturantët apo prindërit e tyre? Mos vallë shqetesohen për cilësinë? A mos vallë ua hodhi sytë njeri kritereve të universiteteve? Apo i ha meraku që diplomat në universitetet tona merren… e shkojnë për kot?
Jo, aspak!
Në të gjithë deklarimet e ministrisë nuk ka vetëm papërgjegjshmëri, por nuk përmenden fare standardet akademike, niveli shkencor, niveli i diplomës në tregun e punës, por vetëm masivizimi, popullizimi, kemi kaq maturantë për kaq kuota: shumë kuota për pak aplikantë.
Skema e administrimit dhe e pranimit është e dështuar plotësisht, nuk ka asnjë raund aplikimi që e shpëton, madje as ndryshimi i udhëzimit të Ministrisë për të pestën here brenda tre muajsh, thjesht nuk përkthehet në asnjë ndryshim cilësor.
Sepse nuk ka vizion, nuk ka mendim, nuk ka politikë arsimore për arsimin e lartë, por “polici” MASH-AKP që të cakton se ku do shkosh, anipse rrugës do ngelën edhe 10 mijë maturantë të tjerë që raundi i dytë nuk i shpëtoi, por i mori në qafë.
Kjo skemë e paligjshme shkel të drejtat e njeriut. Kjo skemë është në kundërshtim me të drejtat e institucioneve të arsimit të lartë të cilat me ligj kanë të drejtën të pranojnë studentë sipas kritereve që vendosin ata, sepse tani studentët t’i sjellë sistemi AKP dhe IAL-et nuk zgjedhin dot.
Kjo skemë pengon konkurrencën e ndershme midis universiteteve, dëmton standardet dhe, pas zgjedhjeve korruptive për drejtuesit e universiteteve, kjo është lëvizja e radhës që futi nën tutelën e qeverisë gjithë arsimin e lartë.
Tashmë që skema do të ndryshojë sërish, maturantët duhet ta dinë… dikur ndërhynte Komiteti Ekzekutiv, sot sistemi elektronik MASH-AKP i ka dhënë shenjat e para të ndërhyrjes për lista fituesish e jo fituesish…
Ama ndërkohë edhe armiqtë e procesit dështak janë gjetur: maturantët!
Ata janë të pavëmendshëm!