Maturantët mund të ankimojnë rezultatet e testeve të maturës në portalin E-Albania. “Ata i drejtohen Qendrës së Shërbimeve Arsimore përmes portalit e-albania do i dërgohet përmes e-mailit testi i tyre dhe testi i saktë”, sqaroi Rezana Vrapi, Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, për Abc News.
Matura shtetërore do t’i zhvillojë provimet në të njëjtat data të njoftuara më parë: më 8 qershor gjuha e huaj, 11 qershor gjuha shqipe, 15 qershor matematika dhe 18 qershor provimet me zgjedhje. Provimet do të bazohen vetëm në mësimet e kryera në shkollë.
Provimet e maturës do të bazohen në temat e kryera në shkollë deri më datën 9 mars 2020. Testi do të ketë 60 pyetje vetëm me alternativa, dhe provimi do të zgjasë 2 orë.
Përgjigjet e provimeve do të publikohen në 30 qershor dhe me datë 1 korrik do të shpërndahen diplomat për maturantët që kanë aplikuar jashtë vendit.
Zonja Vrapi lajmëroi se maturanti i cili merr 15 pikë e lart do të marrë notë kaluese, në ndryshim nga viti i kaluar që duheshin 10 pikë për të marrë notën kaluese.
Këtë vit, testet e maturës do të korigjohen në mënyrë digjitale. Fleta e përgjigjeve do të skanohet dhe do të kontrollohet elektronikisht.
Sipas urdhërit numër 114, datë 18 maj, të Ministrisë së Arsimit testi nuk do të ketë më barkod, por emrin dhe të dhënat e maturantit. Çdo maturantë duhet ta kontrollojë të dhënat e shënuar në test dhe ta firmosi atë, përpara se ta dorëzojë.
Gjithashtu, portali Matura Shtetërore ka publikuar udhëzimin e Drejtorisë Arsimore për rregullat e plotësimit të testeve nga maturantët.