Më shumë se 70 ligjvënës britanikë kanë shfaqur kundërshtimin e tyre për përdorimin e të ashtuquajturave “pasaporta vaksine”. Qeveria britanike mendon t’i sjellë për të ndihmuar hapjen e ekonomisë, teksa ka filluar heqjen e kufizimeve të COVID-19.
Qeveria po rishikon idenë për t’u kërkuar njerëzve që të tregojnë prova se janë vaksinuar ndaj COVID-19.
Kjo “pasaportë vaksinimi” do të shërbejë më pas për të hyrë në hapësira të mbushura me njerëz si pub-et ose ngjarjet sportive.
Kryeministri i Britanisë Boris Johnson ka thënë se një “pasaportë vaksinimi” mund të jetë e nevojshme për udhëtimet ndërkombëtare.
Gazeta Daily Telegraph raportoi të shtunën se provat e pasaportave COVID do të fillonin brenda javësh në ngjarje të mëdha sportive dhe ndoshta një ceremoni çmimesh muzikore në dy muajt e ardhshëm për të vlerësuar ndikimin e tyre.
Të premten Johnson tha se një kombinim i faktorëve të imunitetit – nëse njerëzit kanë pasur sëmundjen, një vaksinë ose kanë bërë një test COVID-19 – do t’u jepte bizneseve besim.
“Kështu që ato tri gjëra që punojnë së bashku, mendoj se do të jenë të dobishme për ne ndërsa ecim përpara,” tha Johnson.
Por ka pasur shqetësime në rritje nga disa në Partinë e tij Konservatore, si dhe ligjvënës të opozitës dhe grupe të të drejtave civile, në lidhje me mundësinë e çertifikatave të vaksinave.
“Ne jemi kundër përdorimit përçarës dhe diskriminues të çertifikimit të statusit COVID për t’u mohuar individëve akses në shërbime të përgjithshme, biznese ose punë”, tha një deklaratë e nënshkruar nga një grup prej më shumë se 70 ligjvënës nga i gjithë spektri politik.