Numri i flamingove rozë dhe pelikanëve kaçurrel në lagunat dhe kënetat në Shqipëri është rritur me 30 për qind.
Punonjësit e parqeve kombëtare të Karavastasë dhe Nartës pohuan se numri i flamingove është rritur në rreth 3000 që nga janari, për shkak të izolimit të njerëzve.
Nexhip Hysolakoj, shefi i zonës së mbrojtur tha: “kafshët kanë rimarrë të gjitha të drejtat e absolute të saj dhe po shijon të gjitha liritë e natyrës”.
Gjatë viteve të fundit, rritja e urbanizimit, fluksi i madh i turistëve si dhe aktiviteti industrial kanë vënë në rrezik ekosistemet në këto pjesë të brishta, të mbrojtura të vendit. Në Lagunën e Nartës, zogjtë kanë mundur të fluturojnë pa u shqetësuar nga anijet e peshkimit, tragetet, turistët dhe anijet e tjera që niseshin çdo ditë nga porti i Vlorës.
Ndotja akustike nga autostrada rreth 500 metër larg është ulur gjithashtu, duke shtuar më tej paqen dhe qetësinë, që i duhet kafshëve. Një fabrikë për përpunimin e lëkurës dhe prodhuesi i vajit të ullirit janë të mbyllura, duke zvogëluar kështu sasinë e ndotjes në mjedisin e tyre.
Hysolokaj u shpreh se shpreson që në hapin tjetër zogjtë të çiftohen. Ai tha se gjatë tre javëve të fundit, çiftet janë zhvendosur më thellë në lagunë dhe po fillojnë “rituale të çiftimit”. Mirjan Topi, autori i udhërrëfyesit të parë të zogjve në Shqipëri, tha se kushtet aktuale janë të duhura për flamingot, që të çiftohen.
“Këta lloj zogjsh zakonisht shtegëtojnë për disa vjet në rajone të ndryshme të Mesdheut derisa të arrijnë pjekurinë seksuale,” tha ai.
Ata që ndodhen në lagunë sot kanë ardhur nga Italia, Greqia, Spanja, Franca dhe Afrika.
Më tej në veri, në Parkun Kombëtar të Divjakës, zogjtë po shtohen gjithnjë e më shumë. Pelikanët dalmatian, të njohur ndryshe si “pelikanët kaçurrelë” janë mbledhur sëbashku. Punonjësit e parkut kanë vëzhguar rreth 85 çifte, të cilët kanë ndërtuar fole në një ishull të vogël në qendër të lagunës. Popullsia e tyre është rritur kohët e fundit duke kapur numrin më të lartë në 30 vitet e fundit.
Para izolimit, habitati i tyre ishte nën kërcënim, për shkak se vizitohej nga 50 mijë vizitorë çdo muaj. Por sot, restorantet, hotelet, baret dhe shumë ndërtesa janë boshatisur.
Pelikanët, flamingot, shqiponjat dhe kafshë të ndryshme po shijojnë paqen dhe qetësinë, duke lëvizur nëpër shtigjet që zakonisht përshkohen nga turistët.
Ardian Koci drejtori i parkut tha se shpreson që pandemia të jetë një mundësi për të ribalancuar turizmin dhe mbrojtjen e biodiversitetit në vend.
“Do të isha egoist të them se vetëm natyra ka rëndësi, por masa urgjente janë të nevojshme për t’i dhënë fund abuzimeve që kanë dëmtuar kaq shumë ekosistemet,” tha ai.