
Që prej 5 korrikut, rreth 300 invalidë nga puna që jetojnë në qarkun e Kukësit, po paguajnë tarifë të plotë, njësoj si banorët e tjerë, për kalimin në Rrugën e Kombit.
Denoncimin e bëri në televizionin Ora News, Mustafa Luzha, kreu i Shoqatës së Invalidëve, i cili deklaroi se kompania koncesionare ka nxjerrë një urdhër, në shkelje të ligjit dhe pa njoftuar qytetarët, se edhe invalidët duhet të paguajnë tarifë kur kalojnë Rrugën e Kombit.
“Po paguajmë si gjithë qytetarëve të tjerë 100 lekë për rrugë. Dy invalidë i kanë dërguar në komisariat për arsye se kanë kundërshtuar pagesën”, denoncoi Zoti Luzha.
Ai i bëri thirrje qeverisë që të marrë masa për heqjen e këtij urdhëri nga kompania koncesionare, në të kundërt invalidët do të futen në grevë urie.
Invalidët e qytetit të Kukësit, të cilët përdorin makina të vogla specifike për nevojat e tyre për të lëvizur, deri më 5 korrik nuk kanë paguar asnjë tarifë për të kaluar në Rrugën e Kombit. Ligji për invalidët ndalon i përjashton ata nga pagesa e tarifave të tilla.