
Rudy Giuliani, avokati personal i Presidentit në detyrë të SHBA, Donald Trump, është infektuar me koronavirus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti Trump në një postim në Twitter.
Trump vlerëson Giulianin si kryebashkiakun më të mirë në historinë e Nju Jorkut dhe thotë se ai ka punuar pa u lodhur për të zbuluar korrupsionin në zgjedhjet e funndit presidenciale në SHBA.
Presidenti në detyrë i uron gjithashtu shërim të shpejtë avokatit të tij.
“Shpresoj të shëroheni sa më shpejtë Rudy, ne do të vijojmë rrugën tonë më tej!” – shkruan Trump në Twitter.
Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut ka qenë në krye të përpjekjeve të Trump për të kontestuar rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, të fituara nga Joe Biden, përmes një padishë.
Kjo punë e ka çuar Giulianin në shtete të ndryshme të SHBA-së si Michigan dhe Arizona, ku ai u ka bërë thirrje ligjvënësve shtetërorë të ndalojnë çertifikimin e fitores së Biden.