Rusia paralajmëroi Britaninë të enjten se do të bombardonte anijet detare britanike në Detin e Zi nëse kishte ndonjë veprim tjetër provokues nga marina britanike në brigjet e Krimesë së aneksuar nga Rusia.
Rusia thirri ambasadorin britanik në Moskë për një qortim zyrtar diplomatik pasi anija luftarake hyri në ato që Kremlini thotë se janë ujërat e saj territoriale, por që Britania dhe shumica e botës thonë se i përkasin Ukrainës.
Britania tha se Rusia kishte dhënë një dinamikë të pasaktë të incidentit. Asnjë e shtënë paralajmëruese nuk ishte qëlluar dhe asnjë bombë nuk ishte hedhur në rrugën e destrojerit të Marinës Mbretërore “HMS Defender”, tha ajo.
Në Moskë, Rusia thirri ambasadoren britanike për një vërejtje mbi atë që tha se ishte veprim “i rrezikshëm” i Britanisë në Detin e Zi ndërsa zëdhënësja e ministrisë së jashtme, Maria Zakharova akuzoi Londrën për “gënjeshtra të pastra”.
“Ne mund të kërkojmë mirëkuptim, mund të kërkojmë respekt për ligjin ndërkombëtar dhe nëse këto nuk funksionojnë, ne mund të bombardojmë,” u tha zëvendës Ministri i Jashtëm Sergei Ryabkov agjencive ruse të lajmeve.
Ryabkov, duke iu referuar versionit të Moskës për ngjarjet tha se në të ardhmen bombat do të lëshoheshin “jo vetëm në rrugën e anijes, por edhe në shënjestër”.
Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina në 2014 dhe i konsideron zonat përreth bregdetit të saj ujëra ruse. Vendet perëndimore e konsiderojnë Krimenë si pjesë të Ukrainës dhe hedhin poshtë pretendimin e Rusisë për detet përreth saj.
Kryeministri Boris Johnson tha se anija luftarake britanike, e cila po udhëtonte nga porti ukrainas i Odesës në portin gjeorgjian të Batumit, po vepronte në përputhje me ligjin dhe kishte qenë në ujërat ndërkombëtare.
Ministri britanik i Mbrojtjes Ben Wallace akuzoi pilotët rusë për kryerjen e manovrave të pasigurta të aeroplanëve.