Ndonëse Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht njofton për sasinë e vaksinave që mbërrijnë periodikisht në vend, ajo ka qënë më pak trasparente përsa i përket kostove të tyre.
Exit ka arritur të nxjerrë, përmes një hulumtimi në platformën Open Procurement, pjesën më të madhe të kostove të vaksinave, si dhe disa shpenzime të tjera të lidura me pandeminë.
Shqipëria ka paguar 20 milionë dollarë për 3 nga marrëveshjet e sigurimit të vaksinave.
Në këtë shumë nuk mbënë pjesë marrëveshja me SputnikV, shuma e të cilës ende nuk dihet.
Qeveria ka shpenzuar gjithashtu edhe 1,2 milionë euro për blerjen e shiringave për kryerjen e vaksinave.
Nga marrëveshja me kompaninë Pfizer, Shqipëria arriti të përfitojë 499 590 doza vaksinash ose 6 milion € (12 dollare cmim per njesi), gjysma e së cilës është paguar 30 ditë nga nënshkrimi i kontratës.
Për parapagimin e dozave të vaksinës Pfizer, në janar janë përdorur 430 milion lekë nga Fondi Rezerve i Buxhetit te Shtetit për vitin 2021.
Në fund të marsit, qeveria njoftoi se kishte siguruar rreth 1 milion vaksina Sinovac përmes një furnizuesi turk, kompanisë Keymen Ilac Sanayi Ve Ticaret A.S.
Shuma që Shqipëria pagoi për këtë kontratë ishte 10 000 000 ( dhjete milionë) USD.
Ndërkohë, nga programi COVAX, vendi jonë arriti të sigurojë 1 140 000 vaksina me faturë 3.9 milion USD, nga të cilat 430 milion lekë u derdhën si parapagesë për kuotën në bazë të marrëveshjes me COVAX. Dozat ishin parashikuar për të mbuluar vaksinimin e rreth 20 % të popullsisë.
Ende nuk ekzistojnë detaje të publikuara në lidhje me koston e rreth 50 mijë vaksinave SPUTNIK.
Një tjetër tender i zhvilluar nga ISHP ka qënë në lidhje me prokurimin e shiringave, për të cilën ka ekzekutuar 4 pagesa me vlerë të përgjithshme 14 379 000leke kundrejt EUROMED SHPK në fillim të vitit.