Sa na kushton ‘sekreti’ i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore

Nga Artan Rama
Sa na kushton ‘sekreti’ i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore

Kur vjen puna për të ashtuquajturit lumenj të egër të Shqipërisë, Shushica është ende një i tillë. Kontrata koncesionare për “nënshtrimin” e tij, deri tani, ka mbetur në letër.

Leja mjedisore skadon për pak muaj. Ndërkohë që kantieri për ndërtimin, e të paktën njërit prej katër hidrocentraleve, i parashikuar për të përfunduar brenda 2020-s, nuk ka filluar akoma punë. Kompanisë i mungon edhe leja e përdorimit të ujit.

Në mars, vetëm pak ditë përpara se kompania të fitonte të drejtën e përdorimit të ujit nga Këshilli i Basenit (KBU), ky i fundit pezulloi aktivitetin përkohësisht, në kushtet e pandemisë botërore të shkaktuar prej COVID-19.

Kështu, gjasat për zhvillimin e punimeve, sipas grafikut, në përputhje me termat e kontratës koncesionare, duken praktikisht të pamundura.

Mospërmbushja e kontratës koncesionare të Shushicës, një prej tributarëve më të rëndësishëm të Vjosës, kur numri i hidrocentraleve në vend ka shkuar në qindra, do të ishte një ngjarje e pazakontë për organizatat dhe aktivistët mjedisorë, të cilët biodiversitetin dhe veçanërisht ekosistemin lumor të Vjosës, e kanë në fokus të përpjekjes mjedisore prej vitesh.

Po ndërsa kriza e pandemisë, mund të imponojë, ndonëse jovullnetarisht, një rrethanë favorizuese për gjendjen e mjedisit, mënyra e administrimit të këtij të fundit prej zyrtarëve publikë tregon të kundërtën. Rasti i Shushicës e dëshmon.

Përpara një viti i kërkova Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) vlerësimin për projektin e ndërtimit të  hidrocentraleve në Shushicë. Por Agjencia refuzoi, duke klasifikuar 99% të informacionit si sekret tregtar.

Të drejtën për të ndërtuar hidrocentralet e kishte fituar “Shushica Hydropower Sh. p. k.”, një bashkim operatorësh të specializuar në fushën e impianteve hidroenergjitike. Kontrata parashikonte ndërtimin e katër hidrocentrale me fuqi 14.9 MW.

Agjencia kishte detyrimin publik për të vlerësuar projektin e zbatimit. Në kushtet e kurrfarë sekreti të mundshëm, tani shtrohej edhe një pyetje: çfarë po kërkonte të fshihte AKBN-ja nën siglën sekret tregtar?

Sidoqoftë, ndërsa kërkesën ia kalova Komisionerit për të Drejtën e Informimit, arrita të siguroj (nga burime të tjera) një kopje të vlerësimit. Raporti i vlerësimit kishte gjashtëmbëdhjetë faqe dhe gjashtë kapituj kryesorë.

Në fund të tij radhitej grupi hartues, një listë prej nëntë inxhinierësh. Duhej të ishin nëntë firma ekspertësh…por jo! Mungonte një firmë! Irena Beqiraj nuk kishte firmosur.

Ish-zëvendësministrja e financave, në dy periudha të mëparshme (2015-2017), Irena Beqiraj, ishte caktuar anëtare e grupit për vlerësimin e projekteve të zbatimit të hidrocentraleve, në 5 qershor të 2018-s, përmes një urdhri emërimi nga ish-ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri (2017-2019).

Në më shumë se një dekadë, qysh nga themelimi i AKBN-së, ekspertët e saj  kishin qenë inxhinierë, kryesisht hidrologë, hidroteknikë e gjeologë, por asnjëherë financierë. Përfshirja e një eksperti financash ishte e re, e paparashikuar dhe natyrisht, e drejtë.

Por Beqiraj ishte zëvendësuar më pas nga një tjetër ekspert, përmes një tjetër urdhri, nga i njëjti ministër, vetëm një ditë pasi Ministria e Energjisë kishte miratuar (më 27 dhjetor 2018) raportin e vlerësimit për projektin e zbatimit të hidrocentraleve të Kaskadës së Shushicës, të hartuar nga inxhinierët e AKBN-së.

Pra, të nesërmen, vetëm një ditë më pas, në 28 dhjetor 2018, Beqiraj ishte zëvendësuar. Ç’kishte ndodhur?! Përse nuk e kishte firmosur raportin ekspertja Irena Beqiraj dhe a kishte një shpjegim për këtë? Dhe, përse eksperti i ri, zëvendësuesi i Beqirajt, ishte emëruar të nesërmen, ndërkohë që raporti ishte miratuar një ditë më parë?

I drejtova një kërkesë të dytë, kësaj radhe drejtorit të Agjencisë (AKBN), Adrian Bylykut. Bylyku refuzoi përsëri!

“Unë kërkova ndryshimin e rregullores së Agjencisë që në vlerësimin e projekteve të përfshiheshin edhe analizat ekonomike-financiare”, – thotë Beqiraj.

“Kështu që derisa ndryshimi të merrte formë zyrtare, gjykova që pjesëmarrja në mbledhjet e grupit, përveçse do të krijonte një kosto financiare, nuk kishte ndonjë vlerë të shtuar”.

AKBN-ja e zhvilloi mbledhjen pa praninë e Irena Beqirajt. Ndonëse firma e saj mungoi, raporti i vlerësimit të hidrocentraleve në Shushicë u miratua. Ndërsa priste, Beqiraj nuk u njoftua kurrë për ndryshimin e rregullores dhe as për grafikun e mëtejshëm të mbledhjeve. Ajo u zëvendësua pas gjashtë muajsh, pa arritur të firmoste, qoftë dhe një raport të vetëm.

Miratimi i projektit të Shushicës pa firmën e saj, çeli rrugën për zbatimin e tij dhe në terma financiarë i shndërron aksionerët e kompanisë “Shushica Hydropower shpk” në përfitues të mundshëm të 55 milionë eurove, për të paktën 15 vjet. Ishte pikërisht kostoja që duhej të vlerësohej përmes ekspertit të financave e jo thjesht prej një grupi inxhinierësh.

Por le të shpjegojmë më hollësisht, se në ç’mënyrë kompanitë koncesionare sigurojnë shuma kaq marramendëse gjatë zbatimit të projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve.

Legjislacioni për Nxitjen e Energjive të Rinovueshme njeh detyrimin shtetëror për blerjen e kësaj energjie me qëllim përmbushjen e Objektivave Kombëtare të Energjisë së Rinovueshme dhe kontrata për ndërtimin e hidrocentraleve në Shushicë, me fuqi instalimi 14.9 MW është pjesë e kësaj skeme mbështetje.

Sipas metodologjisë së caktuar nga Këshilli i Ministrave, energjia e prodhuar nga impiante me fuqi, deri 15 MW, blihet nga Operatori i Energjive të Rinovueshme, një ndërmarrje me kapitale shtetërore (OSHEE në këtë rast), në përputhje me tarifat e caktuara nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).

Referuar vendimit më të fundit të ERE-s, çmimi i blerjes për 2020 është caktuar: 8.0532 Lek/kWh.

Kështu, me një volum prodhimi prej 55405708 kWh/vit, përgjatë gjithë kohëzgjatjes tridhjetë e pesë vjeçare të koncesionit, kompania do të arkëtojë nga shitja e energjisë së prodhuar, rreth 6.7 miliard lekë, ose rreth 55 milionë euro, për të paktën pesëmbëdhjetë vitet e para, çka përkojnë me periudhën e mbështetjes. Tërë këto para të miratuara, vetëm prej një grupi inxhinierësh hidrologë, apo gjeologë.

“Koncesionet në hidrocentrale operojnë në kushtet e marrëveshjes së çmimit të shitjes, çka i kalon risqet e tregut nga privati te partneri publik, ku në rastin në fjalë janë ndërmarrjet me kapital shtetëror (OSHEE; KESH),” – thotë Beqiraj.

“Në këto kushte është e rëndësishme një analizë e përballueshmërisë së këtyre risqeve financiare nga ana e partnerit shtet”.

AKBN-ja nuk e bëri këtë analizë. Qysh nga emërimi i Beqirajt, në qershor (2018) e deri në zëvendësimin e saj në dhjetor 2018, AKBN trajtoi, jo më pak se pesëdhjetë projekte zbatimi.

Të dhënat që disponojmë tregojnë se gjatë kësaj periudhe, krahas Shushicës, fuqia totale e energjisë së prodhuar, e parashikuar në projektet e trajtuara nga inxhinierët e AKBN-së nuk ishte më e vogël nga 100 MW, çka do të thotë se akoma dhjetëra milionë euro të tjera mund të vihen në dispozicion të kompanive koncesionare nëpërmjet vendimmarrjes së një grupi inxhinierësh në mungesë të një eksperti financash, pra, pa vlerësimin ekonomiko-financiar, ashtu siç ndodhi në rastin e Shushicës.

Por ka edhe një shqetësim tjetër që reflektohet në aftësitë e kompanive për të përmbushur detyrimet kontraktuale.

Projekteve u mungon vlerësimi i komponentëve të investimit (kostot operacionale, kostot kapitale), pra, sa është në gjendje kompania për ta realizuar ndërtimin brenda afateve të parashikuara?”, përfundon Irena Beqiraj.

Parashikimi i Irena Beqirajt rezultoi i saktë! Një hetim i kryer në gjashtëmujorin e parë të 2019-s nga Ministria e Transporteve dhe Energjisë zbuloi se 80 hidrocentrale (ministria e uli më pas në 69) që u përkisnin 27 shoqërive koncesionare, të cilat kishin fituar të drejtën e punimeve nuk kishin filluar ende punë, ose e kishin braktisur kantierin.

Ministria nuk e bëri të qartë, se deri në ç’masë pamundësia e fillimit të punimeve lidhej me gjendjen financiare të kompanive për të cilat foli Beqiraj.

I kërkova ministrisë të më tregonte kapacitet totale instaluese të këtyre kontratave, por ministria refuzoi të përgjigjej. Deri tani, negociatat mes autoritetit kontraktor (Ministria e Energjisë) dhe kompanive private vazhdojnë në fshehtësi.

Në qershor të 2019-s, (tani drejtimin e ministrisë së energjisë e kishte marrë një ministre e re, znj. Balluku), AKBN-ja riorganizoi ekipin e vlerësimit të projekteve.

Numri i gjeologëve u shtua, por prania e një eksperti të vlerësimit ekonomiko-financiar, në listën e përhershme përsëri mungoi. Rregullorja mbeti po ajo që ishte edhe më parë.

Gjatë dy viteve të fundit inxhinierët e AKBN-së kanë miratuar 101 projekte hidrocentralesh me kapacitet instalues, rreth 200MW. Askush nuk mund të tregojë në Agjenci për rreziqet financiare të projekteve të miratuara.

Dhjetë vjet pas nxitjes dhe boom-it, ndërtimi i hidrocentraleve ka hyrë në krizë! Kërkesat për liberalizimin e tregut po bien ndesh me përpjekjet favorizuese të prodhimit të energjisë.

Detyrimi i blerjes së energjisë prej OSHEE-së ul performancën financiare të saj. Trendi i ri janë panelet fotovoltaike, çka mund të sjellë çlirimin e shtretërve dhe mbrojtjen e atyre pak lumenjve që kanë mbetur ende të egër.

Por të gjitha këto nuk mund t’u lihen në dorë gjeologëve dhe drejtuesve mendjembyllur të AKBN-së. Sepse dikush kërkon dhe gjithmonë do të kërkojë të përfitojë, deri në minutën e fundit…


Botuar më parë në portavendore.al

The post Sa na kushton ‘sekreti’ i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore appeared first on https://portavendore.al/2020/04/08/sa-na-kushton-sekreti-i-agjencise-kombetare-te-burimeve-natyrore/

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>