Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji tha të martën, teksa Edmond Spaho u prezantua me strukturat e PD në Korçë, se synojnë 6 mandate deputetësh në këtë qytet.
Gjatë fjalës së tij në prezantimin e Spahos, Salianji u shpreh:
“Falenderoj çdo qytetar, çdo votues për mbështetjen masive që më ka dhënë, falenderoj demokratët që më kanë votuar si më të preferuarin dhe me te votuarin nga deputetët dhe i përulem sakrificës dhe kontributit të tyre që bënë të mundur që në një acar politik, thuajse me gjendje lufte të bënin të mundur që Korça të ishte i vetmi qark me rritje për Partinë Demokratike në vitin 2017”.
Në një deklaratë për mediat Spaho tha se do të dalin forcë e parë. Ndërsa caktimin e tij si drejtues politik e quajti si një vendim kolegjial:
“Kam gjetur një angazhim shumë të madh të strukturës. Vendosja ime në krye të qarkut ka qenë vendim kolegjial, i vendosur nga zoti Basha dhe diskutuar me strukturat vendore. Është kënaqësi të rikthehem në Korçë. Do të dalim forca e parë në zgjedhjet qendrore të 25 prillit. Duhet të heqim këtë të keqe (qeverinë) nga ky vend.”
Edmond Spaho u caktua nga PD të hënën si drejtues politik në qarkun e Korçës që ka gjithësej 11 mandate deputetësh.
Në zgjedhjet parlamentare të 2017, Partia Demokratike mori 4 mandate në Korçë, LSI një mandat ndërsa Partia Socialiste 6 mandate.