Salillari fituesi i madh i tenderave të Unazës së Madhe

Nga Gerard Gega
Salillari fituesi i madh i tenderave të Unazës së Madhe

Me rreth 50 milionë euro tendera, kompania Salillari është fituesja më e madhe e tenderit për Unazën e Madhe.

Me ofertë 14,5 milionë euro bashkimi i kompanive Salillari dhe Bajrami N  u shpallën sot fituesit e tenderit “Loti 1” i Unazës së Madhe. Në dhjetor 2018, Salillari gjithashtu fitoi edhe “Lotin 2” të të njëjtit segment rrugor nga pallati me shigjeta te Sheshi Shqiponja. “Loti 2” do të kushtojë 12,6 milionë euro. Tre vite më parë Salillari ka ndërtuar segmentin 2,1 kilometra nga Komuna e Parisit te pallati me shigjeta. Për këtë pjesë ish-Drejtori i ARRSH Afrim Qendro ka thënë se u paguan rreth 29 milionë euro.

Tenderi i lotit të parë të Unazës së Madhe

Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) kualifikoi bashkimin e kompanive Salillari dhe Bajram N, pas ankesës së tyre në gusht 2019, për fitimin e këtij tenderi prej kompanisë Vëllezërit Hysa.

Vendimi i Komisionit u zbardh sot në buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike. Salillari dhe Bajrami N do ta ndërtojnë “Lotin 1” të Unazës së Re për 14,5 milionë euro.

Tenderi për “Lotin 1” u hap më 14 qershor dhe u mbyll më 22 korrik. Fillimisht Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) i skualifikoi dy kompanitë Salillari dhe Bajrami N për “mos-plotësim kriteresh”. ARRSH skualifikoi edhe Alb-Building, që kishte ofruar më pak, 14 milionë euro, me arsyetimin se “një nga kompanitë e konsorciumit nuk kishte përfunduar punimet në vlerë 70 për qind të kontratave me ARRSH”. Për shkak të skualifikimeve të këtyre kompanive, fituese e “Lotit 1” qe shpallur kompania Vëllezërit Hysa me ofertë 14,6 milionë euro.

Më 23 gusht kompanitë Salillari-Bajrami N dhe Alb Building ankimuan vendimin e ARRSH dhe KPP vendosi përfundimisht t’i japë të drejtë bashkimit të kompanive të Salillarit.

Projekti i Sheshit Shqiponja u ndryshua dhe tenderua disa herë, për shkak se herën e parë u fitua me falsifikim dokumentash nga bashkimi i kompanive Dh-Albania dhe Biba X.

Në tenderin e dytë nuk u plotësuan kriteret ndërsa në të tretin u vendos që projekti të ndryshohej nga rrethrrotullim me nënkalime dhe mbikalime, në kryqëzim me nënkalime.

Salillari fitoi nga Bashkia Tiranë koncesionin me afat 33-vjeçar për terminalin e transportit publik. Ky stacion do të ndërtohet rreth 1,5 kilometra larg Sheshit Shqiponja, në rrugën Kastriotët në anë të kthesës së Kamzës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>