Sot do të zhvillohet Samiti i Berlinit, i drejtuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel. Takimi do të përqendrohet kryesisht në rivendosjen e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pas mospranimit të propozimit për shkëmbim territoresh dhe vendosjes së taksës për produktet serbe.
Ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë u propozua vitin e kaluar si kusht për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe dhënien fund të konfliktit mes dy vendeve. Në fillim ky propozim u bë nga Presidenti serb Vuçiç, e më pas u mbështet edhe nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Thaçi në vend të termit “shkëmbim territoresh” përdori gjatë deklaratave publike termin “korrigjim territoresh”, duke propozuar bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, por pa shpjeguar se çfarë do të përfitonte Serbia në këmbim. Ky propozim u mbështet nga Eurokomisioneri Hahn dhe Federica Mogherini.
Por, në shtator 2018, ministrat e jashtëm të BE-së, gjatë një mbledhjeje të organizuar në Austri, pohuan njëzëri se rishikimi i kufijve mund të nxisë tensione etnike dhe mund të sjellë pasoja negative për vendet e tjera, për shembull, të inkurajojë Republikën Srpska në Bosnjë-Herzegovinë që të bashkohet me Serbinë.
Gjithashtu, edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh kundër ndryshimit të kufijve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Merkel gjatë një konferencë shtypi me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Denis Zvizdip tha se megjithëse ka tendenca të caktuara në Ballkan për rivendosje të kufijve, një gjë e tillë nuk duhet të bëhet.
Ndërsa në nëntor 2018, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj vendosi taksë mbi produktet serbe. Ai u shpreh se kjo taksë do të vazhdojë derisa Serbia të njohë Kosovën si shtet të pavarur. Ndërsa drejtuesit serbë u shprehën se Serbia nuk do të nisë bisedimet me Kosovën derisa të hiqet taksa.