Samiti i Berlinit, Makron dhe Merkeli do të përpiqen të rivendosin dialogun Serbi-Kosovë

Samiti i Berlinit, Makron dhe Merkeli do të përpiqen të rivendosin dialogun Serbi-Kosovë

Sot do të zhvillohet Samiti i Berlinit, i drejtuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel. Takimi do të përqendrohet kryesisht në rivendosjen e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pas mospranimit të propozimit për shkëmbim territoresh dhe vendosjes së taksës për produktet serbe.

Ideja e  shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë u propozua vitin e kaluar si kusht për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe dhënien fund të konfliktit mes dy vendeve. Në fillim ky propozim u bë nga Presidenti serb Vuçiç, e më pas u mbështet edhe nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Thaçi në vend të termit “shkëmbim territoresh” përdori gjatë deklaratave publike termin “korrigjim territoresh”, duke propozuar bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, por pa shpjeguar se çfarë do të përfitonte Serbia në këmbim. Ky propozim u mbështet nga Eurokomisioneri Hahn dhe Federica Mogherini.

Por, në shtator 2018, ministrat e jashtëm të BE-së, gjatë një mbledhjeje të organizuar në Austri, pohuan njëzëri se rishikimi i kufijve mund të nxisë tensione etnike dhe mund të sjellë pasoja negative për vendet e tjera, për shembull, të inkurajojë Republikën Srpska në Bosnjë-Herzegovinë që të bashkohet me Serbinë.

Gjithashtu, edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh kundër ndryshimit të kufijve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Merkel gjatë një konferencë shtypi me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Denis Zvizdip tha se megjithëse ka tendenca të caktuara në Ballkan për rivendosje të kufijve, një gjë e tillë nuk duhet të bëhet.

Ndërsa në nëntor 2018, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj vendosi taksë mbi produktet serbe. Ai u shpreh se kjo taksë do të vazhdojë derisa Serbia të njohë Kosovën si shtet të pavarur. Ndërsa drejtuesit serbë u shprehën se Serbia nuk do të nisë bisedimet me Kosovën derisa të hiqet taksa.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>