
SHBA-ja dhe BE-ja, pas Samitit të Brukselit, kanë konfirmuar angazhimet e tyre në Ballkanin Perëndimor, si dialogu Kosovë-Serbi, si dhe reformat e integrimit.
“Ne synojmë të forcojmë më tej angazhimin tonë të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, përfshirë dialogun e ndërmjetësuar nga BE mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve dhe duke mbështetur reformat kryesore për integrimin në BE,” shkruhet në deklaratën e Samitit mes SHBA-së dhe BE-së, mbajtur në 15 qershor.
Samiti kishte si qëllim rivendosjen e marrëdhënieve trasaltrantike, që mori goditje gjatë administratës Trump.
Disa nga angazhimet e tjera lidhen me dhënien fund të pandemisë së COVID-19, përgatitje për sfidat e ardhshme globale të shëndetit; politikat klimatike në mbrojtje të planetit; forcimi i tregtisë, investimeve dhe bashkëpunimit teknologjik; dhe ndërtimi i një bote më demokratike, paqësore dhe të sigurt.
“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim rendin ndërkombëtar, të bazuar në rregulla, me Kombet e Bashkuara në thelb të saj, të gjallërojmë dhe reformojmë institucionet shumëpalëshe kur është e nevojshme, dhe të bashkëpunojmë me të gjithë ata që ndajnë këto objektiva,” shkruhet në deklaratë.