Sekretari i Përgjithshëm në kryeministri, Engjëll Agaçi ka qenë avokati mbrojtës i Ylli Ndroqit në Itali në vitin 2010.
Avokatët e Ndroqit publikuan në 6 gusht, një dokument të gjykatës dhe prokurorisë italiane, dërguar avokatit Agaçi, që tregon se gjykata e Torinos ka vendosur të pushojë hetimet ndaj Ndroqit ‘pasi nuk është provuar akuza’.
Në njoftimin e SPAK-ut, të 3 gushtit, shkruhet se në 2004-ën, emri Ylli Ndroqi është dërguar në gjykatë si ‘organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal.’
SPAK shkruan se Ndroqi u arrestua më 17.02.2015 bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos.
Por avokatët pretendojnë se në këtë periudhë Ylli Ndroqi bashkë me bashkëshorten Mimoza Ndroqi ka qenë në Amerikë.
Engjëll Agaçi njihet si një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Ramës. Që prej vitin 2013, ai është Sekretar i Përgjithëshëm në kryeministri.