SELDI: Bizneset monopol rrezikojnë të kapin shtetin shqiptar

Nga Exit News
SELDI: Bizneset monopol rrezikojnë të kapin shtetin shqiptar

Shqipëria ka rrezikun më të madh në rajon që bizneset monopol të kapin shtetin përmes korrupsionit të nivelit të lartë.

Ky është njëri ndër rezultatet e raportit “Ballkani Perëndimor 2020: Rreziqet e kapjes së shtetit dhe reformat në politika” botuar javën e fundit nga organizata “Lidership për Zhvillim dhe Integritet në Evropën Juglindore” (SELDI).

monopolizimi kapja e shtetit seldi raport

Raporti veçon Shqipërinë dhe Kosovën për nga presioni më i lartë nga bizneset për të monopolizuar sektorë të ekonomisë. Energjitika ka rrezikun më të lartë, pasi kontrolli i saj është i përqendruar, mungon transparenca dhe administrimi i saj nga qeveria është joefikas.

Nga ana tjetër, vetë bizneset në Shqipëri ankohen se korrupsioni është faktori më i rëndësishëm për ekonominë informale në vend. 72% e bizneseve besojnë kështu dhe se qeveria nuk i përdor si duhet taksat e tyre për të ofruar shërbime më të mira publike.

Gjetje tjetër e raportit është se banorët e rajonit të Ballkanit e tolerojnë shumë korrupsionin. Kjo tregon se integriteti i institucioneve të qeverive të këtyre vendeve është i ulët.

Nga ata që besojnë se korrupsioni është i papranueshëm, 62% mendojnë se do të jenë viktima të zyrtarëve që u kërkojnë rryshfet. Kjo shifër është më e lartë për ata që korrupsionin e shohin si të pranueshëm – 82% e tyre presin që t’u kërkohet rryshfet.

Raporti vlerëson se reformat në drejtësi në vendet e rajonit në 10 vitet e fundit nuk kanë përparuar dukshëm. Në rezultatet e dobëta të ndjekjeve penale dhe dënimeve të dhëna, raporti thekson nivelin shumë të ulët të dënimeve përfundimtare për zyrtarët.

Këto reforma i ka përkeqësuar politizimi i gjyqësorit, ndikimet e padrejta dhe korrupsioni. Raporti nënvizon se qeveria dhe parlamenti kanë ndikim të madh në gjyqësor përmes zgjedhjes së zyrtarëve në të dhe përcaktimit të buxhetit.

Pavarësia dhe liria e medias mbetet problem në rajon. Raporti bën përgjegjëse qeveritë për mungesën e transparencës së pronësisë së medias dhe mosmbrojtjen e tyre nga ndërhyrja e politikës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>