Serbët e Bosnjës bllokojnë institucionet kryesore për shkak të ndalimit të mohimit të gjenocidit

Serbët e Bosnjës bllokojnë institucionet kryesore për shkak të ndalimit të mohimit të gjenocidit

Serbët e Bosnjës njoftuan bojkotin e të gjitha institucioneve kryesore, në përgjigje ndaj ndalimit të mohimit të gjenocidit të Srebrenicës, të vendosur nga i dërguari i paqes i OKB-së.

Masa bllokon në mënyrë efektive funksionimin e institucioneve jetësore qeverisëse në vend: qeverinë qendrore, parlamentin dhe presidencën trepalëshe.

Bojkoti u njoftua të hënën nga Branislav Borenović, një nga udhëheqësit politikë të njësisë serbe të Bosnjes, Republika Srpska.

“Që nga nesër, përfaqësuesit politikë serbë nuk do të marrin pjesë më në punën e institucioneve të përbashkëta të Bosnjë dhe Herzegovinës dhe nuk do të marrin asnjë vendim derisa të zgjidhet kjo çështje,” deklaroi ai gjatë një konference për shtyp.

Javën e kaluar, i dërguari i OKB-së për paqjen, Valentin Inzko vendosi ndalimin e mohimit të gjenocidit serb në Bosnjë, gjë që bëri që udhëheqësit serbë ta kundërshtojnë ashpër.

Lideri serb në Bosnjë, Milorad Dodik, si dhe shumica e politikanëve të Republika Srpska, mohojnë gjenocidin e Srebrenicës të kryer nga trupat serbe kundër civilëve boshnjakë në 1995 – i vetmi gjenocid i njohur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Serbët vranë mbi 8,000 burra dhe fëmijë pasi pushtuan Srebrenicën. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish- Jugosllavinë (ICTY) dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) e kanë njohur masakrën si gjenocid, por udhëheqësit serbë në Republika Srpska si dhe në Serbi nuk pranojnë të bëjnë të njëjtën gjë.

Para ndalimit të Inzkos javën e kaluar, një raport i porositur nga Republika Srpska arriti në përfundimin se serbët nuk kishin kryer gjenocid në Srebrenica.

Milorad Dodik, një mohues i gjenocidit që drejton Republika Srpska me mbështetjen e Presidentit Serb Aleksandar Vučić, përsëriti kërcënimet për shpërbërjen e Bosnjës, nëse ndalohet mohimi i gjenocidit në vend.

“Nuk pati gjenocid në Srebrenicë,” deklaroi Dodik në një konferencë shtypi pas lajmit. “Ky është gozhda e fundit në arkivolin e Bosnje-Hercegovinës. Republika Srpska nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të nisë procesin e shpërbërjes. ”

LEXO  Vetingu, shkarkohet gjyqtari i Apelit Andi Civici

Pas ndalimit të mohimit të gjenocidit në Bosnjë dhe kërcënimit të ashpër nga i mbrojturi i tij politik për të zhbërë vendin, Presidenti Vuçiç, i cili në 20 vitet e fundit ka punuar për të portretizuar veten si një politikan i moderuar ndërkombëtarisht, bëri thirrje për bisedime mes palëve. Ai gjithashtu refuzon të njohë gjenocidin e Srebrenicës.

Vuçiç ishte anëtar i parlamentit për llogari të një partie radikale nacionaliste, kur serbët kryen gjenocidin kundër boshnjakëve. Ai personalisht vizitoi ushtrinë serbe në Bosnje, gjatë rrethimit të Sarajevës e në të njëjtën kohë, u zotua në parlament të vriste 100 myslimanë boshnjakë për çdo serb të vrarë në luftë.

Në vitin 1998, kur qeveria serbe po përfshihej në më shumë masakra, kësaj here mbi shqiptarët e Kosovës, duke vrarë mbi 8,000 prej tyre, Presidenti Slobodan Millosheviç, me nofkën Kasapi i Ballkanit, e bëri Vuçiç Ministrin e tij të Informacionit, duke filluar karrierën e tij në qeveri.

Bosnje -Herzegovina përbëhet nga dy njësi – Republika Srpska, e udhëhequr nga serbët dhe Federata Boshnjako-Kroate – secila me parlamentin e saj, por që qeveriset nga një qeveri qendrore, parlamenti dhe presidenca trepalëshe.

Ndarja në dy njësi u vendos në 1995 në Marrëveshjen e Paqes në Dejton, pas 3 vjetësh lufte etnike, që la mbi 100 mijë të vrarë.

Ndalimi i mohimit të gjenocidit nuk mund të miratohej në të kaluarën, pasi secila prej tre njësive të Bosnje-Hercegovinë ka fuqi të vetos, e cila mund të tejkalohet  vetëm nga i dërguari ndërkombëtar i paqes, megjithëse ky i fundit e ka përdorur rrallë këtë fuqi që nga 1995.

Lavdërimi i kriminelëve të dënuar të luftës dhe mohimi i krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës janë gjithashtu të dënueshme, sipas amendamenteve të reja ligjore. Republika Srpska rregullisht u ka dhënë çmime kriminelëve serbë të luftës, por tashmë kjo konsiderohet vepër penale.

 

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme