Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik deklaroi të premten se në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid.
Komenti i tij vjen pas vendimit të përfaqësuesit special të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Valentin Inzko, për ndalimin e mohimit të gjenocidit.
Duke i përdorur kompetencat e Bonit, Inzko vendosi ndryshimin e Kodit Penal të Bosnjës, duke dënuar mohimin e gjenocidit dhe vlerësimin e kriminelëve të luftës.
“Republika Sërpska e hedh poshtë këtë vendim. Në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid,” u shpreh Dodik.
Ai shtoi se serbët nuk do ta pranojnë vendimin dhe paralajmëroi se kjo do të sillte shpërbërjen e Bosnje -Hercegovinës.
“Republika Sërpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes, nuk ka dialog në Bosnje,” tha ai.
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës, drejtuar nga Ratko Mllaqiç, kanë vrarë 8372 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, zonën që ishte e shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007, vendosi që vrasjet në Srebrenicë përbënin gjenocid.
Muajin e fundit, Mali i Zi dhe Kosova kanë miratuar rezoluta që gjithashtu dënojnw mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.
Më 11 korrik, që njihet si përvjetori i masakrës, përfaqësues të BE-së dhe SHBA-ve bënë thirrje për dënimin e saj.