Sfida e opozitës 2017 – 2021

Nga Marash Logu
Sfida e opozitës 2017 – 2021

Zgjedhjet e 25 Qershorit prodhuan një rezultat të qartë. Partia Socialiste fitoi 74 mandate, çka i mundëson asaj të qeverisë e vetme dhe e qetë edhe në katër vitet e ardhshme. Disi më e komplikuar duket situata e opozitës, e cila minimalisht është e ndarë në dy pjesë. Bëhet fjalë për Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Krahas tyre ka edhe një opozitë të papërfaqësuar në Kuvend, por që është aty: Libra e Ben Blushit dhe Sfida për Shqipërinë e Gjergj Bojaxhi. Ndërsa dy partitë e tjera parlamentare, PDIU dhe PSD duket që do të jenë më shumë shtojca të qeverisë së majtë sesa ndonjë faktor i rëndësishëm politik.

Ndërkohë te LSI, gjendja e brendshme edhe pas largimit të ish-liderit të saj, Ilir Meta drejt Presidencës, pas emërimit dhe dorëheqjes së Petrit Vasilit, ardhjes në krye të kësaj partie të Monika Kryemadhit, ngjan më e qetë. Megjithatë duhet parë se si do të reagojë elektorati i LSI-së pas largimeve masive që priten të ndodhin në administratë. A do të vazhdojë ajo ta ruajë elektoratin e saj, që për hir të vërtetës erdhi duke u shtuar gjatë kohës që ishte në pushtet, apo do të vijë duke u tkurrur?! Kjo mbetet për t’u parë dhe duket sfida kryesore e lidershipit të zonjës Kryemadhi. Nga ana tjetër, duket që LSI e ka marrë me mjaft seriozitet pozicionin e saj në opozitë dhe po përpiqet që të ngjajë e vërtetë.

Gjendja në Partinë Demokratike, qysh nga publikimi i listave për deputetë, rizgjedhjes së kryetarit dhe mbledhjes së fundit të Kryesisë, ngjan shumë e tensionuar dhe e përçarë. Minimalisht tashmë në PD janë ngurtësuar dy grupime: mbështetësit e kryetarit të rizgjedhur Basha dhe kundërshtarët e tij që përfaqësohen nga figura me peshë të së djathtës ndër vite si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Arben Imami etj. Këta të fundit të lënë jashtë listës për deputetë në zgjedhjet e 25 Qershorit, duket se nuk kanë ndërmend të pranojnë kokëulur situatën, por do të vazhdojnë betejën e tyre. Në një intervistë televizive të zotit Patozi, ai i propozoi zotit Basha pranimin e ekzistencës së një fraksioni brenda PD-së, gjë që u hodh poshtë kategorikisht nga ky i fundit.

Sa i përket raporteve ndërmjet dy partive kryesore të opozitës, ku PD-ja vazhdon të ruajë epërsinë e saj, situata duket mjaft sterile. I pyetur për mundësinë e një koalicioni apo bashkëpunimi me LSI-në, zoti Basha u shpreh se jemi të hapur për bashkëpunim me çdo forcë politike që është në opozitë të sinqertë me këtë qeveri. Pavarësisht kësaj deklarate, ai nuk u shpreh hapur nëse ishte pro apo kundër për një bashkëpunim konkret. Pak a shumë, veçse me terma të tjerë, u shpreh edhe zonja Kryemadhi, për mundësinë e bashkëpunimit me PD-në. Megjithëse të hapur dhe të gatshëm në parim për bashkëpunim, asgjë s’ka lëvizur konkretisht dhe opozita vazhdon të jetë e ndarë në dysh.

Është e qartë që kjo situatë ndarje, përçarje, tensioni i opozitës, qoftë i brendshëm apo ndërpartiak, i shërben më mirë se kujtdo tjetër qeverisë dhe kryeministrit Rama. Madje mazhoranca edhe po investohet që kjo gjendje të vazhdojë më tej, duke bërë diversione brenda opozitës, gjoja duke mos e njohur rolin e opozitës “sezonale” të LSI-së dhe duke konsideruar opozitë vetëm Partinë Demokratike. Megjithëse numri i deputetëve të LSI-së nuk është aspak për t’u neglizhuar. Qeveria e di se për sa kohë opozita vazhdon të jetë e ndarë në dy pjesë, PD të jetë më e përçarë se kurrë, ajo do të vazhdojë të qeverisë e qetë dhe të fitojë zgjedhje pas zgjedhjeve. Po opozita a e di këtë dhe si duhet të reagojë ajo përballë kësaj mazhorance, shumica e së cilës në Kuvend ia lejon të sillet edhe në mënyrë arbitrare e të pakushtëzuar. Modestisht po parashtroj një rrugë që mund ta ndihmonte opozitën të dilte nga kjo gjendje dhe të ishte efikase përballë mazhorancës.

Së pari, mendoj që i takon Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës si kyetar i saj të marrë rolin që i takon si lider i opozitës. Ai duhet të thërrasë dhe t’i takojë kundërshtarët e tij në PD, të cilët përderisa nuk largohen ose të krijojnë një parti të re, sigurisht që duan, siç tha ish-kryeministri Berisha, të ruajnë kontributet e tyre brenda kësaj force. Nga ana tjetër, bashkimi në një trup të vetëm i gjithë pjesëve të një familje politike, besoj është në interesin e çdo lideri partie, i cili kërkon të vijë në pushtet. Basha duhet t’i dëgjojë dhe të përpiqet që të gjejë një kompromis me kundërshtarët e tij për hir të interesit më të mirë të PD-së. Kjo mund të realizohet me ndryshime statutore, me zgjedhje të brendshme, duke krijuar hapësirë për mendimin ndryshe etj. Mjafton pra që të ketë vullnet dhe është plotësisht e mundshme.

Së dyti, Lulzim Basha duhet t’i lërë pas komplekset dhe të shtrijë dorën e bashkëpunimit konkret për pjesën tjetër të opozitës. Ai duhet të ulet me kryetaren e LSI-së dhe të shohin bashkë gjithë opsionet e mundshme në mënyrë që në katër vitet e ardhshme Shqipëria të ketë një opozitë të fortë dhe efikase. Kjo më intereson veçanërisht, ndaj dhe ky shkrim, pasi besoj se mungesa e një opozitë efikase është një kërcënim serioz për shëndetin e një demokracie. Aq më tepër të një demokracie të brishtë dhe me plot halle, si ajo që kemi në Shqipëri. Por, ky bashkëpunim është edhe në interesin e dy partive respektive. E para, sepse krijon një opozitë më të fortë edhe nga pikëpamja numerike në Kuvend, plot 62 deputetë. E dyta, sepse nëse bashkëpunimi përfshin edhe pushtetin lokal, opozita ka pothuajse shumicën në të gjitha këshillat bashkiakë. E treta, në zgjedhjet vendore të vitit 2019, bashkimi PD-LSI do të rriste mundësitë e këtyre forcave për të fituar mandate bashkish. Dhe së fundi, ky koalicion do të krijonte shpresa tek mbështetësit e partive respektive për mundësi fitoreje në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Për të gjitha këto arsye, por edhe të tjera që mund të dalin nga një analizë më e hollësishme e situatës së partive opozitare, mendoj se është koha që Partia Demokratike, pasi të ketë bashkuar dhe unifikuar familjen e saj politike, duhet t’i hapë rrugë mundësisë për bashkëpunim me LSI-në për hir të interesave më të mëdha sesa të mërive të vogla. Madje akoma më tepër duhet të krijojë hapësira edhe për partitë e rëndësishme joparlamentare opozitare. Vetëm nëse ia del të bëjë këtë, mund të ketë shpresa për të qenë alternativa reale e pushtetit sot dhe qeveria e ardhshme nesër.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>