Qeveria amerikane ka blerë edhe 200 milion doza të tjera të vaksinës Moderna.
Lajmi u dha nga vetë prodhuesi i ilaçeve të mërkurën në një deklaratë për mediat.
“Kjo blerje e çon zotimin e furnizimit për qeverinë amerikane në 500 milion doza, duke përfshirë 110 milion doza që pritet të dorëzohen në tremujorin e katërt të 2021 dhe 90 milion që pritet të dorëzohen në tremujorin e parë të 2022,” thuhet në deklaratë.
Dozat e vaksinës Moderna mund të përdoren për vaksinimin primar, përfshirë edhe të fëmijëve, ose si dozë përforcuese, tha kompania.
Moderna aktualisht po kryen prova klinike, duke testuar një dozë të tretë përforcuese të vaksinës së saj të autorizuar. Po ashtu ajo po zhvillon një vaksinë eksperimentale për të mbrojtur nga variantet e koronavirusit.
Në njoftimin e saj Moderna bëri me dije se SHBA-të kanë lënë hapsirë në marrëveshje për të blerë vaksinat në fazë eksperimentale.
Gushtin e kaluar SHBA nënshkruan një marrëveshje me Modernan për 100 milion doza vaksinash, me vlerë 1.53 miliard dollarë, me mundësinë për të blerë 400 milion të tjera.