Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sot tërheqjen nga UNESCO, organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara.
Vendimi i është njoftuar menjëherë Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s Irina Bokova. Disa nga arsyet që përmenden si shkak për këtë tërheqje janë shuma e lartë monetare që SHBA paguan, si dhe paragjykimi që organizata po i bën Izraelit.
Në bazë të rregullores, pritet që ky vendim të hyjë në fuqi në fund të vitit 2018.
Gjithsesi, SHBA-të do të mbeten të përfshira në projektet aktuale të organizatës si shtet vëzhgues.
Një prej aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara midis 195 anëtarëve të UNESCO-s, Franca, i kërkoi Amerikës përmes ambasadorit të saj, Francois Delattre, të qëndrojnë në UNESCO, duke thënë se Shtetet e Bashkuara “duhet të qëndrojnë të përkushtuar ndaj çështjeve botërore”.
Vendimi i SHBA-ve për tu larguar është një tjetër shenjë e largimit të vendit nga arena ndërkombëtare. Presidenti Trump, gjatë fushatës presidenciale, theksoi disa herë se shumë nga organizatat ndërkombëtare nuk janë aspak eficente dhe kanë nevojë të reformohen. Ai premtoi se do t’i largonte SHBA-të nga shumë prej tyre për të ulur kostot financiare.
UNESCO u krijua pas Luftës së Dytë Botërore si një organizatë e Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar në promovimin e rrjedhës së lirë të informacionit. Në gjithë botën organizata është më e njohur më së shumti për programin e Trashëgimisë Botërore, i cili ndihmon në ruajtjen e vendeve kulturore të rëndësishme në të gjithë globin.
Shqipëria është një prej vendeve anëtarë të UNESCO-s dhe në vend ka disa zonë kulturore arkeologjike të përfshira nën mbrojtjen e organizatës.